Vetë italianët po thonë për vendin e tyre se janë “epiqendra e pandemisë së koronavirusit”. Por sa qëndron kjo shprehje? Eshtë faji i koronavirusit apo ka disa “katastrofa” të përziera me njëra-tjetrën?
Arsyet e goditjes së Italisë kaq rëndë prej COVID-19 janë demografia, ndotja e ajrit dhe kufizimet e shpenzimeve publike për sistemin shëndetësor.
Sipas një editoriali të gazetës zviceriane Zurcher Presse, arsyet e mësipërme e kanë kthyer Italinë në vatër kryesore të përhapjes së koronavirusit të ri, duke shkaktuar më shumë se 41.000 të infektuar dhe 3405 vdekje (në kohën kur është shkruar artikulli), duke bërë që numri i të vdekurve të kalojë dhe atë të Kinës, vend ku u shfaq për herë të parë koronavirusi i ri.
Sipas studimeve të Institutit të lartë shëndetësor në Itali, i cili analizoi të dhënat e viktimave të shkaktuara* prej COVID-19, rezulton se:
- Grupmosha më e prekur rezulton ajo e 80-89 vjeçarëve.
- Tre persona (0.8%) vdiqën vetëm prej komplikacioneve të shkaktuara nga koronavirusi. Të tjerët kishin të paktën një sëmundje të mëparshme kronike. Më shumë se gjysma e viktimave kishin tre ose më tepër sëmundje shoqëruese, kryesisht tensioni i lartë, diabeti, kancer apo probleme të zemrës apo mushkërive.
- Mosha mesatare e të vdekurve është 79.5 vjeç.
- Vetëm pesë viktima ishin nën 40 vjeç, të gjithë me sëmundje të tjera të mëparshme.
- 70% e viktimave janë burra.
Instituti shëndetësor gjithashtu rendit simptomat me të cilat u prekën viktimat. 77 përqind kishin një ethe të lartë, 74 përqind vuanin nga dispne, (gulçim) dhe 42 përqind u ankuan kryesisht për kollë.
Diçka tani mund të thuhet gjithashtu për kursin mesatar të sëmundjes në raste fatale: zakonisht duhen rreth katër ditë nga momenti i simptomave të para dhe daljes së testit pozitiv për transferimin në spital, dhe katër ditë të tjera para vdekjes në njësinë e kujdesit intensiv.
Ekspertët besojnë se shumë më tepër njerëz janë të infektuar me virusin në Itali sesa tregojnë statistikat zyrtare dhe këto individë nuk shfaqin shenja të rënda prandaj nuk identifikohen nga autoritetet. Norma e lartë e vdekjes mbi 8% i atribuohet vetëm numrit të të prekurve me simptoma më të agravuara, që janë identifikuar nga autoritetet, u janë bërë analizat dhe kanë marrë trajtim shëndetësor.
Gjithashtu arsyet e renditura në fillim të këtij shkrimi, duket se janë arsyet thelbësore pse Italia po përballet kaq rëndë me pandeminë.
- Popullsia e Italisë është një nga më të vjetrat në botë, mosha mesatare është 46.3 vjet. 21 milion italianë janë mbi 65 vjeç.
- Epiqendra e zgjerimit përfshin Lombardinë, Veneton dhe Emilia-Romagna. Ndotja e ajrit nuk është askund më e madhe në Evropë. Shumë banorë të moshuar vuajnë nga problemet e frymëmarrjes. Dhe dendësia e popullsisë është shumë e lartë. 40 përqind e të gjithë italianëve jetojnë në këto tre rajone. Qytetet Lodi, Brescia dhe Bergamo janë prekur veçanërisht. Në veçanti Brescia dhe Bergamo po luftojnë katastrofën me forcat e pakësuara. Vetëm Milano dhe zona rreth tij janë kursyer disi.
- Italia është me të drejtë krenare për sistemin e saj të shëndetit publik. Sidoqoftë, ky sistem nuk u shpëtua dot nga pasojat e krizës ekonomike dhe financiare. Shteti me borxh të madh ka shkurtuar ndjeshëm shpenzimet publike dhe grantet e hulumtimit vitet e fundit. Në numra: 21%.
- Italia ishte vendi i parë që ndaloi fluturimet nga dhe drejt Wuhan. Fushata nuk ishte plotësisht e menduar mirë, megjithatë, sepse njerëzit udhëtuan për në Itali nga qytete të tjera të Kinës apo Evropës.
Pavarësisht të dhënave që vinë nga Italia, vende të ndryshme pritet të kenë përballje të ndryshme me koronavirusin, për shkak të arsyeve të mësipërme apo faktorëve të tjerë që ndryshojnë nga vendi në vend.
Autoritetet këshillojnë higjenë të shtuar, respektimin e orareve të qarkullimit, qëndrimin në shtëpi si forma më e mirë e distancimit social dhe komunikimin me urgjencën sipas nevojave, në nurmin 127 për personat e prekur apo kontaktet e tyre dhe për qytetarët e tjerë që kanë pyetje për koronavirusin apo duan të kontaktojnë mjekun e tyre në nr. pa pagesë 0800 40 40.
*Të dhënat dhe statistikat janë bazuar në numrin e të prekurve dhe viktimave që rzultonte në kohën e shkrimit të këtij artikulli. Më 22 Mars (ora 9:00) numri i të prekurve në Itali shënon 53.578 dhe numri i viktimave 4825 individë.
#QëndroNëShtëpi