Produktet kozmetike që shiten në rrugë mund të shkaktojnë infeksione të rënda
Të gjitha femrat dëshirën për t’u dukur të bukura e kanë të pashmangshme. Kjo i shtyn ato drejt produkteve të shumëllojshme kozmetike. Mirëpo, bukuria kushton. Nëse kërkon të përdorësh një produkt cilësor dhe të efektshëm fatura e tij është pak e kripur dhe jo e përballueshme nga xhepi i një femre. Dëshira e madhe për të patur një çantë tualeti të mbushur, që nxjerr në pah tiparet e fytyrës, i shtyn shumë femra që të bëjnë kompromise, jo rrallëherë të rrezikshme.
Në shumë tregje informale, apo tezga në rrugë shikon se tregtohen produkte kozmetike, që dhe grimjeret profesioniste do t’i kishin zili. Kremra nga të gjitha llojet, buzëkuq, rimel, penel, tone, parfume, manikyr, qerpikë, thonj etj. Përveçse mund t’i gjesh shumë lehtë, pasi janë në çdo rrugë të kryeqytetit, ato janë edhe shumë të lira. Çmimet e tyre variojnë nga 100 deri në 500 lekë. Problemi i këtyre produkteve është se tregtohen në kushte të papërshtatshme dhe shpeshherë ë janë mallra të dyshimtë, pa datë skadence dhe pa vend origjine.
Kujdes! Mbroni bukurinë tuaj duke lexuar barkodin e produkteve
Produktet kozmetike, sidomos ato që përdoren dendur në përditshmëri i gjen në treg të imituar. Produkte fals nën emrin e brendive të mëdha kozmetike mund t’i gjesh të tregtohen në rrugë dhe fare lirë. Aq i përhapur është ky fenomen saqë në treg është vështirë të gjesh një produkt origjinal. Farmacistja Bajame Isufi tregon se, produktet kozmetike që janë imitime mund të shkaktojnë probleme serioze, si në shëndet ashtu edhe në lëkurë.
Këto produkte mund të jenë të skaduara pavarësisht se, në etiketë kanë datë të saktë. Duke qenë false ato mund të jenë ripaketuar. Një tjetër rrezik nga këto produkte është se ato mund të mos përmbajnë ata përbërës, që tregojnë në etiketë. Duke qenë lëndë të panjohura mund të reagojnë keq në lëkurë duke krijuar njolla, alergji, kruajtje apo edhe puçrra. Prandaj farmacistja rekomandon që nëse keni dyshime për origjinalitetin origjinalitetin e produktit lexoni në moment në internet barkodin e produktit.
Barkodi është një numër me të cilin identifikohen produktet. Çdo produkt duhet të ketë një katror të bardhë me viza dhe numra që përbëjnë barkodin. Përmes numrave barkodi jep shumë informata si: çfarë lloji produkti është, cila fabrikë e ka prodhuar dhe shteti ku ai është prodhuar. “Tashmë kjo është bërë shumë e lehtë, pasi me teknologjitë e reja të telefonave celularë kontrolli mund të bëhet në moment. Nëse kontrolloni me numrin e barkodit dhe nuk ju del produkti, që e mbart këtë numër do të thotë që ky produkt është fals dhe potencialisht i rrezikshëm.
Në farmaci më ka ndodhur shpesh të më vijnë pacientë, të cilët kanë pasur probleme dermatologjike të rënda nga produkte të kësaj natyre. Pas vizitës te mjeku specialist ata kanë vazhduar kurën për disa javë. Duke qenë se ka pasur mjaft njerëz, që e kanë pësuar në këto forma, tani edhe kur blejnë në farmaci tregohen shumë skeptikë. Mos bëni kompromise me bukurinë, zgjidhni produkte cilësore”, u shpreh ajo.
Oksidimi i kozmetikëve, i rrezikshëm
Produktet kozmetike nuk kanë ndonjë specifikë të veçantë se si duhet të ruhen qoftë në dyqane apo në shtëpi. Kjo varet nga lloji edhe nga përbërja e produkteve kozmetike. Ka nga ato produkte që janë shumë të ndjeshme nga faktorët ambientalë, dhe e tregojnë në etiketë se si duhet të ruhen. Ka nga ata që nuk kanë ndonjë specifikë të veçantë ruajtjeje. Farmacistja Brunilda Turtulli tregon se, zakonisht temperatura maksimale që durojnë produktet kozmetike është 25 gradë celsius.
“E rëndësishme është që këto produkte të mos kenë kontakt me rrezet e diellit dhe të mos qëndrojnë në ambiente me lagështi. Në rast se këto kushte nuk përmbushen atëherë këto produkte mund të oksidohen, duke ndryshuar ngjyrën dhe konsistencën. Për shembull, një krem bëhet më i hollë ose një buzëkuq humbet ngjyrën e tij. Por mund të ketë dhe raste që oksidimi i produktit nuk mund të vërehet me sy të lirë”, u shpreh ajo.
Mos lejoni dikë tjetër të përdorë produktet tuaja kozmetike
Një tjetër këshillë për të gjithë përdoruesit e produkteve kozmetike, është që ata t’i ruajnë me fanatizëm produktet e tyre dhe të mos ia japin për përdorim askujt, madje as familjarëve. Farmacistja Ornela Mëhilli tregon se, nëpërmjet këtyre produkteve mund të përcillen baktere të ndryshme virale të lëkurës. Kjo jo vetëm për ata që janë të prekur nga ndonjë sëmundje, por edhe nga ata që kanë tendencën për të qenë. Për shembull, të rasteve me herpes në sy mund të transmetohen nga një vajzë te tjetra, vetëm duke përdorur të njëjtin laps.
Dje në faqen informative “Yahoo” u transmetua lajmi se një 27-vjeçare nga Australia do ta kalojë pjesën e mbetur të jetës në një karrige me rrota për shkak të një infeksioni të rëndë që e paralizoi, pasi përdori një furçë make up-i të marrë hua nga mikja e saj, për të mbuluar një puçërr. Furça nuk ishte e sterilizuar dhe i ngjiti një infeksion stafilokoku.
Temperaturat e larta, “vrasësit” e parfumeve
Ndodh shpesh që të dëgjosh ankesa nga përdoruesit e parfumeve se, fillimisht aroma e tyre zgjaste, ndërsa më vonë nuk mbante më. Ka edhe ankesa për mbarimin e shpejtë të shishes së parfumit, megjithëse nuk është përdorur shumë. Shitësja e një dyqani parfumesh në kryeqytet Erta Çela tregon se, i gjithë sekreti qëndron te mënyra se si ne kujdesemi për shishen e parfumit. Nëse ai lihet në ambiente ku kapet nga dielli apo në temperatura shumë të larta, parfumi avullon dhe ajo që largohet e para është esenca e tij. “Përpiquni që në verë të mos e mbani parfumin në çantë apo në makinë, sepse nga temperatura e lartë, ai do ta humbasë cilësinë e tij”, shprehet Erta.
Ruhuni nga produktet që iu bëjnë alergji
Mjekja dermatologe Blerta Gjoni tregon si dallohet dermatiti akut dhe si duhet vepruar Lëkura në fillim të periudhës së pranverës mund të jetë më e ndjeshme, alergjike qoftë kjo edhe nga alergenet, që bien në kontakt me lëkurën, si nga veshja, parfumet, bojërat e flokëve etj. Një ndër sëmundjet që shfaqet me frekuencë më të shpeshtë është dermatiti alergjik i kontaktit (DAK). Mjekja dermatologe pranë Poliklinikës Qendrore në Tiranë Blerta Gjoni tregon se, mënyrat e shprehjes së dermatitit alergjik janë të ndryshme. Lëkura bëhet e kuqe, edematoze, me vezikula të vogla. Vezikulat çahen duke u tharë e formuar kore më pas.
Më vonë ngjyra e lëkurës errësohet dhe lëkura ashpërsohet. “Shkaktarët mund të jenë lëndët me të cilat ka patur kontakt pacienti në punë a në shtëpi. Ndodh që vetëm nga vendi i vendosjes së eritemës e elementëve shoqërues të përcaktohen shkaktarët. Disa nga alergenet më të shpeshtë janë: nikeli, llastiku, bojërat, parfumet, disa lule”, u shpreh ajo. Ajo tregon se disa persona të ndjeshëm shfaqin reaksione alergjike gjatë lyerjes së flokëve me bojë. Më i fuqishëm reaksioni është tek ata që lyejnë flokët me ngjyrë të zezë.
Dermatiti alergjik që shfaqet nga prodhimet kozmetike të lëkurës si: parfumet, kremrat e ndryshëm, mund të shkaktojnë reaksione alergjike. “Për të gjetur elementin shkaktar të alergjisë, duhen testuar përbërësit e kremrave, pra duhet bërë patch test. Shenjat klinike të dermatiteve janë: eriteme, papul, vezikul etj., dhe shfaqen 48 orë, apo pas kontaktit me alergenin. Ekspozimet e përsëritura çojnë në një reaksion më të fuqishëm. Kohëzgjatja e shërimit të këtyre dermatiteve është e ndryshme. Te disa individë shërohet brenda 1-2 javësh në disa të tjerë jo”, u shpreh ajo. Nëse kontakti me alergenin vazhdon gjendja përkeqësohet.
Mjekja dermatologe, Blerta Gjoni tregon se si dallohet dermatitisi akut alergjik dhe se çfarë duhet të bëjë pacienti në këtë kohë. “Pacienti menjëherë duhet të drejtohet te mjekët specialistë dermatologë ose alergologë. Diagnoza vihet me anamnezë, me të dhënat klinike duke përfshirë vlerësimin e lokalizimit dhe përhapjes së lezioneve, që na orientojnë për diagnozën. Me vlera është histopatologjia dhe një rëndësi shumë të madhe ka identifikimi i shkaktarit alergjik, që bëhet me patch test ose ekzaminimi specifik, (alergeni i aluduar apo një bateri me disa alergene vendosen në lëkurën e kurrizit dhe leximi bëhet pas 48-72 orëve më pas).
Një patch test pozitiv paraqet eriteme dhe papule në vendin e vendosjes së alergenit, në disa raste vihen re dhe vezikula. Mjekja tregon se, evidentimi dhe evitimi i alergenit shkaktar, është një masë shumë e rëndësishme. Këshillohet mbrojtja ndaj tij, kur është i pamundur eliminimi i kontaktit. “Janë efikas dhe imunomodulatoret, takrolimus dhe pimekrolimus. Në terapi të përgjithshme sistematike përfshihen: anti histaminike të gjeneratave të ndryshme dhe në raste të rënda glukokortikoide sistematike për afro 2 javë (orale apo me injeksion), duke respektuar skemat e përdorimit dhe të ndërprerjes së kortizonikut”, u shpreh ajo.
Dorjana Bezat*
/Shekulli