Përhapja e tij e vrullshme po alarmon botën: Çfarë duhet të dini rreth virusit Zika
Virusi Zika është zbuluar në një majmun në Ugandë në vitin 1947, ndërsa rasti i parë në njeri është regjistruar në Nigeri në vitin 1954.
I lindur nga mushkonja, virusi ka qarkulluar në Afrikë dhe Azi për dekada të tëra dhe më vonë në rajonin e Paqësorit, por asnjëherë nuk ka shkaktuar shumë shqetësim.
Situata sot është “krejtësisht ndryshe”, ka thënë shefja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Margaret Chan, më 28 janar.
Virusi po përhapet vrullshëm, pasi është zbuluar në Brazil vitin e kaluar, ka shtuar Chan. Sipas saj, “niveli i alarmit është jashtëzakonisht i lartë”.
Infektime me virusin Zika tashmë po ndodhin në rreth 20 shtete dhe territore në Karaibe dhe Amerikën Veriore e Jugore.
Virusi Zika është zakonisht asimptomatik, që do të thotë se personi i infektuar nuk ka simptoma, ose shkakton sëmundje të buta që normalisht zgjasin deri në një javë dhe kanë karakteristika si të gripit.
Por, Lawrence Gostin, nga Instituti O’Neill për Shëndet Kombëtar dhe Global në Uashington, the për Radion Evropa e Lirë se shqetësimi më i madh tani është se virusi, i cili, sipas tij, ka potencial shpërthimi pandemik, dyshohet se rezulton me anomali fetale.
Shefja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Chan, ka nxjerrë në pah shqetësimin se Zika ka lidhje me defekte në lindje, të njohura si mikrocefali, kur foshnjat lindin me koka jonormale të vogla.
“Lidhja midis infektimit me virusin Zika dhe keqformimeve në lindje nuk është krijuar ende, por është shumë e dyshimtë”, ka thënë Chan.
Mushkonja Aedes, e cila transmeton virusin Zika, ndodhet në gjithë botën dhe paraqet rrezik të lartë për transmetim global në zonat gjeografike me imunitet të vogël të popullsisë.
Shtetet e Bashkuara, Britania dhe vende të tjera kanë rekomanduar që gratë që janë shtatzënë ose planifikojnë të mbeten, të shyjnë udhëtimet në zonat e prekura.
Zika është zbuluar në Shtetet e Bashkuara dhe në disa vende të Evropës te njerëzit që së fundmi kanë udhëtuar në Amerikën Latine. Megjithatë, deri më tani, nuk ka raste të njohura të transmetimit lokal në SHBA dhe Evropë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se pret që Zika të arrijë në çdo shtet Amerikan, përveç Kanadasë dhe Kilit, ku nuk ekziston lloji i mushkonjave që e përhap virusin.
/l.k./