Me 12 mjekë për 10.000 banorë, Shqipëria renditet ndër vendet që kanë një numrin më të ulët të mjekëve në raport me popullsinë Evropë dhe në botë, sipas një harte të publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Në kushtet e pandemisë botërore të shkaktuar prej Sars-Cov2, shifra e ulët është shqetësuese duke treguar kapacitetet e ulta që vendi ynë ka për përballimin e situattave të tilla.
Në një krahasim me vendet e rajonit, Greqia ka numrin më të lartë të mjekve, 55 mjekë për 10 mijë banorë e ndjekur nga Serbia me 31 mjekë, Maqedonia e Veriut me 29 dhe Mali i Zi me 27 mjekë për 10 mijë banorë.
Në botë, më shumë mjekë ka Lituania, me 63 për 10 mijë banorë, ndërsa shtetet e zhvilluara të Evropës Perëndimore, janë në shifrat mesatarisht 40-50 mjekë për 10 mijë banorë.
Të dhënat mbi Shqipërinë datojnë në vitin 2016, ndërkohë që duket dukshëm ulja e numrit të mjekëve gjatë viteve të fundit, kur dhe emigracioni i profesionistëve të sistemit shëndetësor ka shënuar dhe rrijtje të konsiderueshme.
![](https://historiaime.al/wp-content/uploads/2020/08/shqip-2.jpg)
Sipas të dhënave të OBSH, në vitin 2000, kjo shifër ishte thuajse 14 mjekë për 10.000 banorë, e cila erdhi duke u ulur vit pas viti. Në vitin 2013, numri i mjekëve ishte mesatarish 12.7, ndërsa 3 vite më vonë është ulut në 12.2.
Midis viteve 2010 dhe 2017 janë larguar nga vendi 772 mjekë, me arsim të përgjithshëm ose me specializime pasuniversitare, sipas të dhënave nga Forumi Ekonomik Ndërkombëtar i Vjenës, raporton Monitor.
Ky numër përfaqëson më shumë se tre gjenerata të dala nga Universiteti i Mjekësisë, ku diplomimet mesatare në një vit janë më pak se 200 mjekë.
Gjithsej numri i mjekëve shqiptarë në emigrim është 1029, por 772 prej tyre kanë emigruar nga viti 2010 deri në 2017, ndërkohë që emigracioni ka vijuar me ritme të larta dhe në 3 vitet e fundit./Historia Ime