Mjekët në protestë kundër dhunës

Ditën e djeshme, mjekët specializantë të QSUT dolën në protestë kundër rasteve të përsëritura të dhunës në ambjentet spitalore. Ditën e sotme atyre u janë bashkuar dhe mjekët e tjerë të QSUT-së dhe ata të spitalit të Shkodrës, duke u solidarizuar me kolegë të tyre kundër dhunës ndaj mjekëve.
Në Tiranë, mjekët apelojnë për respekt ndaj punës dhe kontributit të tyre në shoqëri.
“Spitalet tanë janë ambiente që ofrojnë siguri, mbrojtje, shpëtim jete. Thirrje për bashkim, për të ndaluar dhunën, thirrje për politikëberësit, drejtues dhe administratorë të institucioneve, për të hetuar shkaqet, faktorët që ndikojnë në ketë situatë. Dhuna në kushtet e punës duhet të marrë ndëshkimin e merituar”, tha mjeku Arjan Harxhi, nga protesta te QSUT.
Mjeku Tritan Kalo ka kërkuar ndërhyrje për të marrë të gjitha masat në mbrojtje të mjekëve dhe të bluzës së bardhë, që është e shenjtë.
Në protestë mori pjesë edhe zv/ministria e Shëndetësisë Mira Rakacolli, e cila u shpreh se: “Mjekët janë të ngarkuar për shkak të fluksit”. Ajo njëkohësisht ka kërkuar ashpërsim të kodit penal për dhunuesit e mjekëve.
Ndërkohë edhe mjekët në Shkodër po protestojnë përpara spitalit, për t’i thënë “ndal” dhunës ndaj bluzave të bardha duke bërë thirrje ndaj autoriteteve për marrjen e masave të menjëhershme për zgjidhjen e problematikave që nxisin rastet e dhunës./k.j