Mbetjet spitalore në spitalin e Fierit të përhapura dhe në tualetet e pacientëve
Situata me mbetjet spitalore në spitalin e Fierit mbetet kaotike. Edhe pse janë konsideruar të rrezikshme për shëndetin e popullatës, sipas një vëzhgimi të bërë nga Rrjeti i Shoqatave të Pacientit mbetjet spitalore në spitalin e Fierit vazhdojnë të hidhen pa kontroll.
Në koshat e plehrave apo në tualetet e pacientëve gjen pa fund mbetje spitalore, sa të mbështjella në qese plastike e sa të hedhura në gjendje të hapur. Pavarësisht se ekzistojnë disa kompani të licencuara nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, të cilat kontraktohen nga spitalet për t’í tërhequr mbetjet në incineratorët e ngritur, shkruan portali Pro Pacientit.
Sipas planit Kombëtar për Menaxhimin e Mbetjeve, sasi të mëdha mbetjesh spitalore përfshihen në mbetjet urbane në vende ku ka spitale dhe klinika. Sasia e këtyre mbetjeve do të rritet me zhvillimin e ekonomisë dhe përzierja e tyre me rrymën e mbetjeve urbane është e papranueshme.
Sa u takon mbetjeve spitalore infektive, në raport thuhet se kjo është një rrymë prioritare mbetjesh dhe menaxhimi i sigurt i mbetjeve nga sëmundjet infektive është i nevojshëm për të minimizuar risqet për shëndetin e punonjësve, pacientëve dhe publikut të gjerë.
Mungesa e menaxhimit të mbetjeve spitalore vazhdon të jetë një problem i madh, pavarësisht se jo rrallë është tërhequr vëmendje për ndryshimin e situatës.
Burimi: Pro Pacientit