Për të ndihmuar punonjësit shëndetësorë, që janë në ballë të frontit me COVID-19 në Kosovë e Shqipëri, Prof. Dr. Shaban Buza, profesor në Universitetin e Prishtinës, mori nismën për prodhimin e një prototipi të pajisjes të emërtuar “Faceshield Mask – Second Line Protection for Hospitals” (Maska mbrojtëse e fytyrës – mbrojtja e linjës së dytë për spitale).
Prototipi prodhohet në printer 3D, bazuar në modelin e siguruar si rezultat i bashkëpunimit të Universitetit të Transilvanisë nga Rumania dhe Universitetit Politeknik të Valencias nga Spanja.
Janë krijuar dy ekipe për këtë nismë humanitare: një në Kosovë i udhëhequr nga Shaban Buza dhe i dyti në Shqipëri i udhëhequr nga Dea Buza. Të dyja ekipet kanë prodhuar prototipin e pajisjes, dhe janë vendosur kontaktet me institucionet për të adresuar nevojat.
Gjatë javës së shkuar, biznese të ndryshme të cilat zotërojnë printera 3D ju bashkuan nismës, ndërsa dje organizatorët njoftuan se brenda 48 orësh, prej donacioneve qytetare u mblodhën 2400 Euro, të nevojshme për blerjen e materialeve të nevojshme dhe printerave 3d, të cilat në përfundim të krizës do t’i dhurohen Universitetit të Mjekësisë në Tiranë.
Pas kontakteve të organizatorëve me dr. Arben Gjata, Rektor i Universitetit të Mjekësisë, kërkesa fillestare për maska është 500 në Tiranë. Më pas kërkesa kanë ardhur dhe nga mjekët dhe drejtoria e Spitalit Shkodër për 200 maska të tjera.
“Aktualisht, kemi ne një printer në punë, i cili me 18 orë punë/ditë mund të prodhojë 16 Maska. Pra për të arritur plotësimin e kërkesës fillestare do të duheshin 45 ditë. Nëse kemi 2 printera, atëherë koha përgjysmohet, e nëse bëhen tre printera mund të përshpejtohet jashtë-zakonisht shumë puna dhe mbështetja për mjekët. Qëllimi ynë është që të arrijmë të prodhojmë të paktën 1000 maska brenda muajit të parë. Po mendojmë që të blejmë një printer të dytë i cili mund të kushtojë nga 600-800 Euro”, deklaron organizatorja Dea Buzi në grupin e hapur për këtë iniciativë në rrjetin social Facebook.
Mjekët dhe infermierët kanë nëvojë sot më shumë se kurdoherë për ruajtjen e shëndetit të tyre që ta ruajnë shëndetin tone. Pasi vlerësimet e para tregojnë se nevojitet një sasi e madhe e këtyre maskave, pra duhet material bazë (filament) shtesë për 3D Printer, po ashtu edhe numër shtesë i printerëve. Andaj, ftojmë të gjithë vullnetmirët që të kontaktojnë udhëheqësit e ekipeve.
Donacionet mund të bëhen përmes PayPal ose transfertave bankare. Informacionet e plota mbi donacionet dhe fushatën i gjeni në postimet e përditësuara në grupin e mëposhtëm.
Le të ndihmojmë nga shtëpia, ata të cilët e kanë të pamundur të qëndrojnë në shtëpi në këto ditë të vështira!
Burimi i fotos: Dorris Manxhuka