Fushatat e ndërgjegjësimit, si ato që kryhen me rastin e Ditës Botërore të Luftës ndaj HIV/AIDS, përdoren për të shpërndarë informacion dhe për të shtyrë popullsinë seksualisht aktive të kryejnë testin, por fatkeqësisht efekti i tyre nuk zgjat shumë.
Në një vështrim të thjeshtë vihet re se mes brezave të rinj mbizotëron një mosdije serioze mbi praktikat e seksit të sigurtë dhe për pasojë edhe vetë proçesit të parandalimit.
Ndërsa në brezat e tjerë informacioni rreth HIV është thuajse inekzistent.
Lajmi i mirë është që incidenca e AIDS dhe viktimave të tij në rang botëror vazhdon të bjerë, që kur terapitë antiretrovirale filluan të përdoren 16 vjet më parë. Lajmi i keq është se shumica e njerëzve e zbulojnë sëmundjen në shkallë të vonuar dhe në një fazë thuajse kritike. Në fakt mesatarja e rasteve të diagnostikuar në shkallë të vontë varion nga 48 në 60% të totalit të rasteve vjetore.
Ky diagnostikim i vonë shkakton dhe efektin zinxhir të infektimit përgjatë kohës.
Një tjetër element i denjë për tu diskutuar është vështirësia për të arritur në komunitete specifike. MSM (meshkujt që shkojnë me meshkuj, punonjësit/punonjëset e seksit etj) të cilët nisur nga frika e stigmatizimit, frika nga shoqëria dhe situatat negative të cilat mund t’i shtohen ekzistencës së tyre (përpos atyre vështirësive që kanë si pjesë e një komuniteti të margjinalizuar) stepen përpara se të dalin hapur dhe kërkojnë shërbime publike të lidhura me shëndetin seksual e për me tepër në lidhje me HIV. Të gjitha këto kanë një emërues të përbashkët: Stigmën.
Me pak fjalë, mungesa e edukimit, stigmatizimi jo vetëm ndaj HIV por dhe ndaj komuniteteve të caktuara si dhe tabutë e lidhura me vetë seksin jo në favor të konceptit të thjeshte biologjik si mjet riprodhimi, janë terrenet që ndihmojnë shifrat në vëndin tonë.
Shifra të përvitshme që në raport me popullsinë janë të denja të fillimit të epidemisë në vitet 80′. Vetëm në 18 muajt e fundit është çelur një program testimi në komunitet, duke ja besuar disa organizatave me bazë komunitare procesin e testimit, dhe kjo më në fund ka dhënë frytet e veta. Por përqëndrimi i barrës informuese dhe edukuese vetëm në dy apo tre ofrues shërbimi, nuk është e mjaftueshme apo të paktën jo plotësisht pa ndihmën e masmediave dhe fushatave informuese në to.
A janë të nevojshme fushatat e komunikimit dhe informimit?
Po, dhe duhet të aplikohen menjëherë.
Format komunikuese të masmedias janë efektive në promovimin e kërkesës për informacion dhe zgjedhjen për t’iu nënshtruar testimit të HIV, veprime këto që i hapin rrugë edukimit më në masë të popullsisë dhe mbi të gjitha të pranojmë që kemi një problem shumë serioz. Problem që po e menaxhojmë në kushte primitive, duke e bërë edhe më të heshtur duke mos e pranuar e duke mos e bërë publik.
Mediat publike e private të çdo lloj forme, duhet të jenë më të predispozuara ta trajtojnë problemin e shëndetit seksual si një emergjencë shëndetësore, e cila në kushtet aktuale rrezikon të kthehet shumë shpejtë në një problem edhe më të madh nisur dhe nga vetë fakti se trajtimi me terapitë antiretrovirale është një kosto shumë e madhe për buxhetin e shtetit.
Të parandalosh është më mirë se sa të kurosh.
Deri në Nëntor 2019 numrat zyrtarë numëronin 1298 persona të prekur, ndër të cilët 115 të rinj të moshës 16 deri në 24 vjeç.
Mesatarja e moshës së personave që preken nga HIV në shkallë vendi shkon nga 23 në 30 vjeç , pra të rinj. Për vitin 2020 shifrat e vetme që disponohen janë ato të dy muajve të parë ku në total kanë rezultuar pozitivë 25 persona ku dominon grup mosha 20-30 vjeç.
vijon…
Autori: HIV/AIDS Albania