Kroacia, shteti i parë në Ballkan që legalizon marijuanën mjekësore
Kroacia miratoi sot vendimin që bën të ligjshëm blerjen dhe përdorimin e marijuanës për qëllime mjekësore. Duke u bërë kështu, shteti i parë në Ballkan që i bashkohet trendit global të zbutjes së legalizimit të drogës.
Një komitet mjekësor i ngritur nga ministria e shëndetësisë në vend, vendosi në janar të këtij viti se shteti duhet të vazhdojë me legalizimin e marijuanës sepse mund të jetë e dobishme për trajtimin e disa sëmundjeve, sipas asaj që u cilësua si njohuria më e fundit shkencore dhe mjekësore.
Doktorët do të jenë në gjendje të japin receta për ilaçe, çajra dhe kremra që përmbajnë THC, element aktiv te kanabisi, për pacientët e tyre. Rregullimet lejojnë çdo pacient të marrë 0.75 gram THC në muaj.
Sipas rekomandimeve të komitetit mjekësor, produktet bimore të bëra nga kanabisi mund të përdoren si ilaç shtesë për trajtimin e tumoreve, AIDS-it, sklerozave dhe epilepsisë te fëmijët.
Megjithatë nuk është shkencërisht e provuar se ndonjë nga këto produkte kuron ose kufizon efektet e sëmundjeve, besohet se lehtësojnë simptomat kur përdoren së bashku me ilaçet kryesore, tha komiteti.
Por gjithashtu është vendosur që produktet e kanabisit nuk duhet të përdoren nga njerëzit që vuajnë prej parkinsonit, epilepsisë së zakonshme, depresionit apo çrregullimeve të tjera psikiatrike. /m.g
Burimi: Reporter.al