Infermierët, në testim pas një jave: U njoftuam vetëm dy ditë më parë
Provimi aq i diskutuar i infermierëve do të zhvillohet në datat 24-25 korrik. Por infermierët theksojnë se janë njoftuar vetëm dy ditë më parë për provimin.
Sipas tyre ishin në dijeni se testimi do të zhvillohej në muajin shtator, por në mënyrë të papritur vetëm 9 ditë para provimit, ata vihen në dijeni për kryerjen e tij. Gjithashtu pohojnë se ditën e hënë do të paraqiten në institucionet ku ata punojnë për të firmosur për provimin. Sipas rregullores së publikuar më herët nga Ministria e Shëndetësisë, në testim do të futen të parët infermierët e spitaleve terciare për të kaluar më pas tek ata të parësorit.
Pra, më datë 24 korrik, në provim do të futen infermierët e QSUT-së, maternitetit “Koço Gliozheni”, maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, spitalit “Shefqet Ndroqi”, spitalit të Traumës. Ndërsa më datë 25 korrik në testim do të futen të gjithë infermierët e rretheve dhe ata të parësorit. Një tjetër problem që ngrenë infermierët lidhet edhe me fondin e pyetjeve.
Pyetjet e publikuara më herët nga Ministria e Shëndetësisë kanë hapur shumë debat. Infermierë, mjekë dhe jo vetëm i kanë kundërshtuar duke i cilësuar si joprofesionale dhe të dala nga aura politike dhe jo shkencore. Ata kanë kërkuar rishikimin e tyre dhe konsultim me grupet e interesit para hartimit të tyre. Mirëpo, ndonëse u premtua nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, se do të rishikoheshin, madje do të ftoheshin edhe grupet e interesit në hartimin e tyre. Kjo gjë nuk ndodhi, çka do të thotë se ata do të kenë në provim pyetjet të cilat për muaj me radhë i kanë kundërshtuar dhe cilësuar si absurde dhe që nuk matin formimin e tyre real.
“Besoj se do të na duhet të rindërtojmë kalendarin që kishim përgatitur, për të parë sa i akomodueshëm është në javët dhe në muajt në vijim, por besoj se do të duhet të reflektojmë edhe ndaj vlerësimeve, kërkesave dhe pretendimeve që Urdhri i Infermierit ka pasur për përmbajtjen e pyetjeve. Bashkërisht mund të ndërtojmë një proces të shëndetshëm”, ka deklaruar më herët ministri Beqaj.
Gjithashtu, herë pas here, kreu i Shëndetësisë ka bërë me dije se rezultati i testimit nuk cenon as pozicionin e punës dhe as pagën e infermierëve. Sipas tij, provimi është thjesht një fotografim i situatës për të parë gjendjen e punonjësve dhe nivelin e sistemit shëndetësor. Tek infermierët do të testohen fillimisht njohuritë bazë, por jo vetëm pjesa profesionale, pasi është cilësuar shumë e rëndësishme edhe pjesa e komunikimit dhe etikës.
“Testimi do të bëhet për të pasur një njohje sa më të mirë për ne si Ministri e Shëndetësisë, të njohurive që kanë sot infermierët dhe mjekët, për të krijuar një program të qëndrueshëm, të shpejtë dhe efikas, të rritjes së formimit të tyre profesional”, është shprehur kreu i shëndetësisë.
Pritet që në testim të futen edhe mjekët, por ende nuk dihen datat kur do të nisë provimi edhe për ta. Në rastin e mjekëve në testim do të futen fillimisht ata të parësorit për të vazhduar më tej me mjekët e spitaleve terciare.
Janë 3720 mjekë dhe 13 mijë e 10 infermierë e laborantë që do të testohen.
/gazetashqip