Helmohen 15 nxënës gjatë një ekskursioni në Tiranë
Plot 15 fëmijë që kishin mbërritur në Tiranë për një ekskursion, një natë e dy ditë, janë helmuar, pasi kanë darkuar në një restorant në Rrugën e Kavajës. Bëhet fjalë për fëmijë të grup moshës 13-17 vjeç, të cilët janë paraqitur në restorant në orën 20.00 të mbrëmjes së dy netëve më parë, ndërsa kanë përfunduar dhe i janë drejtuar hotelit ku edhe do të flinin. Mirëpo me të mbërritur në hotel mësohet se nxënësit kanë filluar të ndiejnë shqetësime shëndetësore, si: dhembje koke dhe barku, simptoma që janë bërë shkak për dërgimin e menjëhershëm të tyre në pediatrinë e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, për të marrë ndihmën e parë. Burime zyrtare nga QSUT bëjnë me dije për gazetën “Shqip” se fëmijët janë paraqitur pranë urgjencës së pediatrisë në orën 00:00. Pas kësaj të gjithë ata kanë bërë serum, ndërsa një orë më vonë, pasi mjekët kanë parë se gjendja e tyre shëndetësore është përmirësuar i kanë lënë të largohen. Të njëjtat burime sqarojnë se 15 fëmijët kishin të njëjtat simptoma, dhimbje barku dhe koke. “Ata kanë ardhur në qendrën tonë, përkatësisht në shërbimin e urgjencës së pediatrisë rreth orës 00.00 të natës. Fëmijët kishin ngrënë darkë në një lokal te Rruga e Kavajës në orën 20:00 dhe në momentin që i janë drejtuar QSUT-së kishin dhimbje të forta barku dhe koke. U është bërë një serum nga mjekët e shërbimit në spitalin tonë. Gjendja e tyre ka qenë më e mirë dhe për këtë arsye mjekët e kanë quajtur të arsyeshme që nuk duhet të qëndrojnë më në spital”, shpjegojnë burime zyrtare në drejtorinë e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”.
Për më shumë klikoni artikullin e plotë: http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/11/25/helmohen-15-nxenes-gjate-nje-ekskursioni-ne-tirane/