Ndërkohë që në Shqipëri u shënua viktima e parë nga Covid19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi i ri, qeveria njoftoi shtrëngimin e mëtejshëm të masave dhe kontrolleve për parandalimin e përhapjes së virusit.
Me një urdhër të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë ditën e djeshme, kërkohet nga institucionet publike dhe private, të hartojnë sipas fushës së përgjegjësisë së tyre brenda datës 11.03.2020 një plan masash për sigurimin e ofrimit të shërbimeve prioritare, duke prioritizuar kategoritë e shërbimit kryesisht nëpërmjet ofrimit të shërbimit online, punës në distancë, dhe vetëm në raste të domosdoshme të ofrojnë shërbimin ndërmjet kontaktit fizik. Për shërbimet për të cilat nevojitet kontakti i drejtpërdrejtë me publikun institucionet duhet të pajisin personelin me mjete pune mbrojtëse me qëllim ruajtjen e shëndetit të tyre.
Pas këtij urdhri shumë institucione publike dhe private po marrin masa për mbylljen e tyre apo krijimin e distancave të sigurisë, masa këto që shihen dhe në baret dhe lokalet e mbetura të hapura në Tiranë, ku janë pakësuar tavolinat dhe karriget dhe është rritur distanca mes tyre.
Ditën e sotme në Tiranë, shumica e call centerave kanë vijuar punën normalisht, me disa masa të shtuara të higjenës e pa ju siguruar ende punonjësve të tyre mundësinë e realizimit të punës në distance.
Gjatë kontaktimit me disa punonjës së qendrave të kontaktit në Tiranë, na u konfirmua se punonjësve u ishte kërkuar shtimi i masave të higjenës, por pa ju siguruar mundësia e të punuarit nga shtëpia e në shumë raste pa u krijuar distancat e sigurisë midis vendeve të punës.
“Na kanë kërkuar para 2 ditësh a kemi internet dhe kompjuter në shtëpi pa na thënë pse. Thonë që kanë dezinfektuar natën por nuk e di a e kanë bërë apo jo. Vunë dezinfektant nëpër mure, por mbaruan për 1 orë dhe nuk i mbushën prapë. Thanë që do punojmë një postacion po e një jo po nuk po zbatohet. Të gjitha këto komunikime janë bërë verbalisht nga team leaderat. Asnjë komunikim formal nga kompania.” deklaron një operatorëve.
“Distanca e sigurisë jo vetëm që nuk respektohet, por madje na kanë ngjeshur edhe më shumë ditë për ditë. Na japin rekomandime për tu treguar të kujdesshëm por asgjë tjetër për momentin.”, shkruan një tjetër operator i një prej call centerave në Tiranë.
Sipas burimeve tona, njëra prej kompanive në Tiranë, Albacall, ka nxjerrë një listë rregullash, ku ngarkohen drejtuesit për krijimin e distancave të sigurisë, respektimin e tyre, ndalimin e grumbullimeve gjatë pushimeve të punës dhe ofrimin e higjenizantëve, por pa përmendur punën online nga kushtet e shtëpisë.
Në një njoftim të sajin, Sindikata Solidariteti kërkon implementimin e urdhërave nga institucionet shtetërore për qendrat e kontaktit (call center). “Mbyllja e call center-ave nuk duket alternativë e drejtë për punëtorët. Transferimi i punës nga shtëpia duket si alternativa më e mundshme dhe e përshtatshme nga të gjitha kontaktet e sindikatës me anëtarët e sajë, por edhe nga praktikat e vendeve të tjera.“, shkruhet në njoftim, të cilit i është bashkëngjitur lajmi se 90 qytetarë janë infektuar me Covid19 në Korenë e Jugut prej vendit të punës në call center.
Ndërkohë që në shtete si Italia, masat për mbylljen e qendrave të kontaktit dhe zhvendosjes së punës nga shtëpia ende nuk janë marrë, duke shtuar shqetësimet për përkeqësimin e situatës epidemike me koronavirus.
Ndërkohë që në shtete si Italia, masat për mbylljen e qendrave të kontaktit dhe zhvendosjes së punës nga shtëpia ende nuk janë marrë, duke shtuar shqetësimet për përkeqësimin e situatës epidemike me koronavirus.
Përfaqësues së Sindikatës bëjnë thirrje për mos-përsëritjen e gabimeve të shtetit fqinj, duke u ndaluar grumbullimi i punonjësve në masa aq të mëdha.
Ata njëkohësisht u bëjnë thirrje administratorëve të këtyre kompanive të marrin masa sa më parë për të shmangur sa më shpejt pasojat në kurriz të punëtorëve dhe qytetarëve që mund të jenë në kontakt me ta.