Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus ka paralajmëruar se numri i të infektuarve me koronavirus, globalisht do të arrijë në një milion brenda këtyre ditëve.
Në disa vende ka shqetësime në rritje për furnizimin me pajisje mbrojtëse për punonjësit e mjekësisë.
OBSH do të diskutojë nëse duhet të ndryshojë këshillat e saj dhe të promovojë përdorimin më të gjerë të maskave të fytyrës, ndërsa numri i vdekjeve në të gjithë botën ka tejkaluar 45,000 viktima.
Komentet nga OBSH erdhën ndërsa numri i vdekjeve në Spanjë arriti në 9,000 të mërkurën. 864 njerëz të tjerë vdiqën në vend në 24 orëshin e fundit, një tjetër rekord për vendin më të prekur në botë pas Italisë.
Të paktën një milion njerëz kanë humbur punën e tyre gjatë dy javëve të fundit në Evropë sipas të dhënave më të fundit nga Konfederata e Sindikatave Evropiane (ETUC).
Shifra befasuese vjen nga raportet e paraqitura nga sindikatat në të gjithë Evropën, dhe përfshin vetëm punonjës kontraktues që kanë aplikuar për përfitime të papunësisë.
Numri i vërtetë – përfshirë ato pa kontrata dhe freelancer mund të jetë shumë më i lartë.
Javën e kaluar Organizata Ndërkombëtare e Punës raportoi se humbjet e mundshme të vendeve të punës mund të arrijnë në 36 milion në javët në vijim.
Por lajme më optimiste vinë nga Italia, me shifrat e fundit të publikuara të mërkurën që sugjerojnë se përhapja e virusit mund të jetë duke u ngadalësuar. Numri i vdekjeve u rrit me 727, që është 100 më pak se një ditë më parë. Më shumë se 13,000 tani kanë vdekur në Itali nga COVID-19.
Më shumë pacientë po shërohen gjithashtu. Shifrat tregojnë se 22.647 njerëz në Spanjë janë shëruar, rreth 20% e numrit të përgjithshëm të rasteve.
Përsa i përket vendit tonë, gjithashtu numri i rasteve të shëruara e kalon me disa fish numrin e vdekjeve të shkaktuara prej COVID-19.
Aktualisht nga 259 raste të konfirmuara gjithsej, vetëm 177 mbeten aktive. Numri i të vdekurve deri më datë 1 prill ka arritur 15 individë, ndërsa ka 67 persona të shëruar.

Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel qytetarëve:
Mos shkoni menjëherë në spital!
Ministria ka vënë në dispozicion një linjë të gjelbër falas 0800 40 40 për çdo qytetar që kërkon informacon apo këshilla në lidhje me COVID-19. Kjo linjë do të shërbejë edhe për pacientët kronikë që të marrin informacion se si të lidhen me mjekun e familjes, se si mund të përfitojnë barnat me rimbursim dhe për çdo shqetësim tjetër që ata kanë.
Por është e rëndësishme të sqarohet se: Nëse qytetarët kanë shenja të sëmundjes dhe për rastet e urgjencave duhet të telefonohet numri unik i urgjencës kombëtare 127!
Qëndroni në shtëpi
Respektoni rregullat e distancimit social.
Respektoni rregullat e higjenës.
