Beqaj në aksion anti-duhan: 6 lokale gjobiten
Moszbatimi i ligjit për duhanpirjen ka penalizuar 6 klube nate në kryeqytet. Këtë fundjavë, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka ndërmarrë masën e gjobitjes me 350 000 lekë për pronarët e tyre. Kjo masë erdhi pas inspektimit të kryer në këto ambiente, në të cilin rezultoi se konsumohej duhan. Në aksionin e ndërmarrë nga kreu i Inspektoratit Shtetëror të Shëndetësisë, Eltar Deda, ishte i pranishëm edhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Beqaj ka parë nga afër situatën, për të mos toleruar askënd që vepron në shkelje të ligjit, sipas të cilit ndalohet duhanpirja në ambiente publike të mbyllura. Gjatë këtij inspektimi Beqaj theksoi edhe një herë vendosmërinë e dikasterit që ai drejton për të mbështetur Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor në zbatimin pa asnjë hezitim të ligjit “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”. Nga ana e tij kreu i ISHSH, Eltar Deda, vuri theksin në vendosmërinë për të mos toleruar askënd që shkel ligjin. “Gjatë inspektimit u konstatua se disa lokale nuk respektonin zbatimin e ligjit Nr. 9636 dt. 06. 11. 2006, i ndryshuar ‘Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit’ në ambientet e tyre. Për këtë arsye, inspektorët e ISHSH morën masa administrative me vlerë 350 000 lekë të rinj për klubet ku nuk zbatohej ligji në fjalë, si dhe për pronarët/administratorët e tyre”, thuhet në njoftimin e përcjellë nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor. Prej javësh autoritetet shëndetësore kanë nisur fushatën për të mos lejuar konsumimin e duhanit në vende publike. Nën moton “Thuaj jo duhanit”, nisma synon të ndërgjegjësojë qytetarët jo vetëm mbi dëmet që shkakton duhanpirja, por edhe pasojat që rëndojnë mbi ata të cilët nuk respektojnë ligjin antiduhan. Ky aksion është shtrirë në disa qytete të vendit. Ligji i ri përcakton që të aplikohen gjoba jo vetëm për pronarët dhe administratorët e bareve apo klubeve, por edhe për qytetarët. Këta të fundit gjobiten me 5 mijë lekë nëse do të konstatohen duke pirë duhan në një ambient publik
Marrë nga panorama.al