Barnat e rimbursueshme mungojnë në farmacitë e Tiranës
Nuk ka kaluar shumë kohë që kur lista e barnave të rimbursueshme u shtua në numër, por gazeta “Shqip” shkruan se ka bërë një vëzhgim për gjendjen e këtyre ilaçeve nëpër farmaci.
Vëzhgimi është bërë në disa zona të Tiranës dhe është vërejtur se farmacitë që kanë më tepër mungesë të barnave të rimbursueshme janë në zonat “që ndodhen pranë qendrës shëndetësore numër 9 në kryeqytet. Te farmacitë që janë pranë Stacionit të Trenit. Gjithashtu, në farmaci që ndodhen në zonën pranë maternitetit ‘Koço Gliozheni’. Në zonën e ‘Don Boskos’ dhe në Laprakë”.
Thuhet se për shkak të mungesave të barnave të rimbursueshme në farmacitë kryesore të kryeqytetit, pacientët mos të kenë mundësi të marrin ilaçe të rimbursueshme, por t’i blejnë. Problemi më i madh qëndron tek medikamentet për diabetikët dhe për të sëmurët me zemër. Në lidhje me këtë gjendje kaq problematike, “Shqip” shkruan se për këtë situatë kanë ndikuar dy faktorë.
Së pari, ulja e çmimit të barnave ka bërë sipas farmacistëve që të bjerë interesi i kompanive farmaceutike për të sjellë ilaçe në Shqipëri, çka është reflektuar edhe në treg.
Së dyti, ndryshimi i listës së barnave me rimbursim.
“Vijnë pacientë dhe në recetë kanë të shënuar barin kryesor që duhet të marrin për trajtim, mirëpo ne kemi mungesa të tij. Detyrohemi që t’i japim alternativën tjetër. Kjo e dyta mund të jetë me rimbursim të pjesshëm ose më pak apo edhe pa rimbursim fare. Një pjesë pranojnë të marrin alternativën tjetër, ndërsa të tjerë jo. Disa largohen pa i marrë fare se nuk duan të paguajnë”, – thotë një farmaciste.
Që prej datës 1 prill hyri në fuqi lista e re me barnat e rimbursueshme, si dhe nisi të aplikohej edhe receta dymujore. Në listën e re të barnave të rimbursueshme u shtuan medikamente për trajtimin e sëmundjeve tumorale, të zemrës apo edhe për sëmundjet infektive. Shtatë prej barnave janë për shërbimin e onkologjisë, përkatësisht për kancerin e gjirit, prostatës, melanomën, ndërsa 4 të tjera për trajtimin e sëmundjeve malinje.