Banorët akuzojnë maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” për ndotje të ajrit
Rreth 200 familje që jetojnë në pallatet pas Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, ankohen se nuk marrin dot frymë dhe as nuk mund të hapin dritaret për shkak të tymit të madh që çliron oxhaku i kaldajës së spitalit.
“Ora 5:30 e mëngjesit është vazhdimisht shumë shqetësuese, po ashtu edhe në darkë. Mendoj që këtu mund të digjen edhe mbetje spitalore pasi është era shumë e rëndë”, ka thënë një nga banoret.
Banorët madje ngrenë dyshimin se kjo situatë krijohet pasi spitali ka vite që aty afër djeg edhe mbetjet spitalore, por sipas BalkanWeb, drejtuesit e maternitetit kanë thënë se kjo nuk është e vërtetë dhe “tymi i vetëm del nga kaldaja që punon me solar”.
Banorët kanë kërkuar inspektimin e ministrisë së Mjedisit për cilësinë e ajrit në këtë zonë. Ata thonë se janë të shqetësuar për fëmijët të cilët po rriten me ajër të ndotur çdo ditë.
“Në qoftë se nuk merren masa nga autoritetet spitalore ne do të protestojmë sepse nuk durohet më diçka e tillë. Ne këtu jetojmë edhe me fëmijët të cilët i bie të rriten me pasoja”, ka thënë një tjetër banor.