Aksidentet, çdo ditë 100 njerëz në spital, 18% nuk shpëtojnë
Duke iu referuar Konferencës së Traumës, “Gazeta Shqiptare” shkruan sot se “rreth 100 njerëz përfundojnë çdo ditë në spital pas aksidenteve të ndryshme, ndërkohë që rreth 18 për qind e tyre humbasin jetën gjatë trajtimit intensiv”.
Të dhënat u bënë publike gjatë Konferencës së Parë Kombëtare të Traumës, në të cilën morën pjesë kirurgë nga vendi ynë si dhe nga Shoqata Evropiane e Traumës.
Gjatë saj u trajtuan problematika të ndryshme që lidhen me shërbimin e traumës, ndërkohë që theksi u vu te fakti se Spitali Universitar i Traumës (ishspitali Ushtarak) është qendra e vetme e traumës, në të cilin marrin shërbim rreth 40 mijë pacientë të gjymtuar në vit.
Ndërkohë që terapia për ta lë shumë për të dëshiruar, duke nisur që nga transporti fizik pas aksidenteve e deri te mungesa e fizioterapisë për rikuperimin e plotë. Një tjetër shqetësim mbetet edhe mungesa e trajnimit të personelit shëndetësor që trajton pacientët pas aksidenteve.