Ajri në Tiranë, 40 % më i ndotur se norma e Bashkimit Evropian
Niveli i ndotjes së ajrit në Tiranë është 40% më e lartë se kufiri i Bashkimit Evropian. Ky rezultat vjen nga raporti i Agjencisë Kombëtare së Mjedisit mbi ndotjen e ajrit në Shqipëri për vitin 2015.
“Nivelet e larta të NO2 janë monitoruar në stacionin Tirana MM ku kemi tejkalim të vlerës vjetore të BE-së në masën 40%. Burimi kryesor i ndotjes nga NO2 në këtë stacion është trafiku. Nivelet më të larta të ozonit janë monitoruar në stacioni e Shkodrës, Korçës, Tiranës dhe Vlorës”, thuhet në Raport.
Cilësia e ajrit është monitoruar në qytetet kryesore të vendit Tiranës, Korçë, Shkodër, Vlorë, Elbasan dhe Durrës. “Bazuar në të dhënat e monitoruara për vitin 2015 , vlerësohet se cilësia e ajrit në qytetet e monitoruara nuk është e një niveli shume të mirë”, thekson raporti.
Ndotësit kryesorë të cilësisë së ajrit urban janë pluhurat me diametër 10 dhe 2.5 mikrometër ( PM10/ PM2.5), sidomos në dy stacionet monitorues të Tiranës, të Elbasanit e Korçës.
Burimi kryesor i ndotjes nga PM10 në stacionin e Elbasanit dhe Tirana AKM është trafiku pasi dhe stacionet janë instaluar buzë rrugëve me trafik të rënduar ndërsa në stacionin e Korçës burimi kryesor ndotjes nga PM10/2.5 është përdorimi i druve të zjarrit për ngrohjen e banesave
Ndotja e ajrit, veçanërisht nga trafiku mbetet një problem i mprehtë në të gjitha qytetet kryesore, ndërkohë që më problematike gjendja mbetet në Tiranë.
/l.k./