Viti 2021 nisi me lajmin pozitiv të ardhjes së vaksinave kundër Covid-19 dhe në Shqipëri. Vaksinat priteshin në javën e tretë të muajt Janar.
U njoftua se kompania Pfizer do të sillte rreth 10.000 doza, për nisjen e fushatës së vaksinimit dhe në vendin tonë.
E ndërsa shpërndarja e dozave ndodhi që në fillim të muajit, bëhej fjalë për rreth 1000 doza të dhuruara nga një shtet i Bashkimit Evropian, që mund të sigurojë vaksinimin e më pak se 500 mjekëve dhe infermierëve.
Dërgesa e rradhës, e cila pritej rreth kësaj jave, do të vonojë dhe disa kohë, për shkak të riorganizimit të kapaciteteve prodhuese të kompanisë Pfizer dhe BionTech.
Kjo vonesë në dërgim ka prekur të gjithë vendet evropiane, duke rritur pasiguritë mbi menaxhimin e pandemisë, në një periudhë që po shënon numra rekord infektimesh të reja, por edhe vdekjesh, në një pjesë të madhe të botës.

Rregulla të vjetra, infektime të reja
Në takimet e fundit të Komitetit të Ekspertëve flitet pak për ashpërsim të masave parandaluese, në ndryshim nga një pjesë e madhe e vendeve evropiane, ku po njoftohen mbylljet e vendeve për herë të tretë apo të katërt që nga nisja e pandemisë në marsin e vitit 2020.
Shtete si Gjermania, Franca, Britania e Bashkuar dhe Holanda, përforcuan rregullat e vendosura në prag të festave të fundvitit, duke u përpjekur të ulin numrin e rasteve, ndikuar kjo dhe nga shfaqja e varianteve të reja të virusit, të cilat rezultojnë të përhapen më shpejtë dhe të infektojnë më tepër njerëz.
Po Shqipëria?
Në datën 5 Janar, Shqipëria ju rikthye orës policore 22:00 – 06:00.
Me shifra që flisnin për një ulje të incidencës javore në fillim të Janarit, asnjë rregull parandaluese nuk u rishikua. Aktiviteti ekonomik vijon normalisht gjatë ditës, së bashku me transportin urban dhe ndër-urban, në këto ditë të ftohta Janari.
Java 19-25 Janar shënoi një rritje të infektimeve të reja dhe numrit të vdekjeve, ndërsa testimet patën një rënie të lehtë.
Sipas të dhënave të përpunuara nga Zëri i Amerikës, gjatë javës në fjalë numri i të prekurve arriti në 4830 raste, ose 20.4 përqind më shumë se një javë më parë. Ky është niveli më i lartë që pas javës së dytë të dhjetorit, momenti i cili shënoi kulmin e goditjes së pandemisë. Mesatarja ditore e rasteve ishte 690 të prekur.
Respektimi i mbajtjes së maskës dhe rregullave parandaluese nga qytetarët dhe subjektet ekonomike mbetet në të njëjtat nivele si në muajt e shkuar, me një numër të njëjtë gjobash dhe kapacitete të ditura tashmë përsa i përket kontrollimit të zbatimit të masave.
Në shifrat mbi infektimet e reja ditore, mungojnë të dhëna nga spitalet rajonale dhe pavionet që trajtojnë pacientë me Covid-19, duke krijuar një panoramë të paqartë.
Pjesa më e madhe e rasteve të qytetarëve të prekur me Covid-19 trajtohen në banesa, ndërsa në shifrat e Ministrisë vijojnë të raportohen vetëm rastet e shtruara dhe vdekjet që ndodhin në tre spitalet e dedikuara në Tiranë.
Përgjigja e autoriteteve
Në mbledhjen e tij të fundit, Komiteti i Ekspertëve vendosi vetëm zgjatjen e ndalimit të mësimit në auditorë dhe ndalimin e fluturimeve nga Britania e Madhe, ku po qarkullon një variant i ri i Covid-19.
E ndërsa nuk ka ende një konfirmim të këtij varianti në Shqipëri, Zëvëndës Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik Dritan Ulqinaku, deklaroi sot se një variant ndryshe i Covid-19 po qarkullon në vendin tonë, por autoritetet nuk dinë ende se cili prej varianteve të reja.
“Eshtë virus ndryshe, eshtë koronavirus, por ndryshe nga koronavirusi që ka qarkulluar deri më tani në vendin tonë. Por, nuk jemi akoma në gjendje të themi që është nga Brazili, apo i Afrikës së Jugut apo Anglisë”.
Ulqinaku e konsideroi situatën si alarmante, duke shtuar se: “Nuk duhet t’ia lemë rastësisë, duhet realisht të reflektojmë që e keqja nuk ka kaluar dhe përkundrazi jeni ndoshta në ditët më të këqija të këtij COVID”.
Sipas z.Ulqinaku, luhatja e numrit të testeve nuk përcaktohet nga Ministria apo autoritete të tjera, por nga vetë qytetarët.
Në një intervistë për ReportTV, zëvëndës drejtuesi i ISHP shtoi se testet bëhen në varësi të telefonatave në 127, duke pranuar se gjysma e tyre janë bërë nga klinikat private.
Niveli i qarkullimit të COVID vijon të jetë i lartë, njerëzit duhet të jenë shumë të kujdesshëm, kjo është ndoshta faza më e keqe.
Në pritje të sasisë së dytë të vaksinave nga kompania Pfizer, vaksinimi mbetet në nivele shumë të ulta, me vështirësitë që janë krijuar edhe për shpërndarjen e vaksinave të kompanive të tjera.

“Lufta për vaksina”
Kompania AstraZeneca, deklaroi se do të reduktojë me 60% dërgesat për në Evropë, duke nxitur debatin për sigurinë e procesit të vaksinimit në shtetet e BE. Në përgjigje të këtij vendimi, BE lajmërojë se do të rishikojë politikën e saj të eksportit, për të parandaluar daljen e tepërt të vaksinave që prodhohen në vendet e BE, jashtë saj.
Ditën e sotme, kompania farmaceutike Sanofi, deklaroi se do të ofrojë kapacitetet e saj për të rritur prodhimin e vaksinave të aprovuara nga autoritetet, por sërish në javët në vijim nuk pritet një rritje e madhe në dozat e prodhuara, që do të mund të përshpejtonte procesin e vaksinimit në vendet e BE, apo dërgimin e më shumë dozave në vendet e treta.
Në muajin shkurt, pritet dhe nisja e funksionimit të mekanizmit Covax, i cili synon dërgimin e vaksinave në vendet në zhvillim.
Pjesë e këtij program është dhe Shqipëria, por ende nuk është bërë i ditur numri i dozave që do merret në fazën e parë të shpërndarjes, apo një datë e saktë se kur do dorëzohen këto doza. / HistoriaIme