Ditën e djeshme, në rrjete sociale u publikua një video e qartë ngacmimi ndaj një gazetareje, e filmuar gjatë koncertit të organizuar në Tiranë me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet.
Gazetarja e Ora News Sonila Musaj, përpiqet të afrohet drejt kryebashkiakut për t’i bërë një pyetje, ndërsa një nga shoqëruesit e tij, përqafon gazetaren me qëllim për ta mbajtur larg Veliajt.
Sigurisht që nga shumëkush mund të konsiderohet si një përqafim miqësor ndaj një të panjohure, por vetë brenda përqafimit qëndrojnë padyshim objektifikime seksiste mbi praninë e gazetareve gra dhe ‘guximin’ e tyre për t’i bërë pyetje kryebashkiakut. Lind pyetja,po të ishte një gazetar, a do të ishte kaq miqësor përqafimi?
Në kohë të tilla, kur gjuetisë së shtrigave ndaj medias i shtohet dhe përpjekja e politikës për të heshtur ç’do formë të fjalës së lirë, të tilla video janë shqetësuese, jo vetëm në qëllimin dashakeq për të monopolizuar burimin e informacionit, por edhe për shkak të metodave të përdorura që i bëjnë gazetarët të ndjehen të pasigurtë në punë.
Vetë gazetarja reagoi mbi ngjarjen në fjalë, duke e konsideruar si ngacmim të patolerueshëm, të cilin do ta ndjekë në rrugë gjyqësore.
“Miq që prej moshës 17-vjeçare kam punuar në media sigurisht jam ndeshur me sjellje të shumë personave por si sjellja e këtij punonjësi të bashkisë Tiranë, kurrë. Sjellja e këtij personi ishte e papranueshme. Seksiste dhe ngacmim i pastër, në emër të gjoja pengimit tonë që të mos intervistonim kryetarin.
Kjo është e patolerueshme që mos të lejojnë të bësh punën tënde. Por unë nuk tërhiqem dhe do të vijoj të jem zëri i qytetarëve. Kam biseduar me avokatin tim dhe po hartohet një padi ndaj personit i cili pa më njohur pretendon se po më përqafonte, e vërteta është se ai nuk donte të intervistoja kryetarin e Bashkisë. Mesa duket, u frymëzua nga fjalimi i Veliajt i cili në 100 vjetorin e Tiranës Kryeqytet u kërkoi pjesmarrësve të përqafoheshin majtas e djathtas…, a thua se po mbytej Titaniku dhe jo të ishim në një festë.
Por një gjë këtu po mbytet. Tirana. Përveç përmbytjeve nga shiu, po mbytet si qytet në llum e korrupsion që buron nga zyra e kryetarit të bashkisë e me rradhë. Ky është turp. Puna jonë do vijojë ditë për ditë në krah të interesit qytetar dhe transparencës.”, shkruan Musaj.
Ndërkohë ditën e djeshme, ndaj kryebashkiakut Veliaj ka pasur dhe një tjetër akuzë nga ana e pronarit të RTV Ora, z.Ylli Ndroqi. Media të shumta raportuan mbi një letër që z.Ndroqi i ka drejtuar Ambasadorëve të akredituar në Tiranë, ku pretendon të jetë kërcënuar nga Veliaj me lobim për ta shpallur person non-grata në Shtetet e Bashkuara.
Sipas letrës, kërcënimet kanë filluar në vitin 2018, kur Ora News vendosi të mbulojë protestën e artistëve për Teatrin Kombëtar, dhe kanë vijuar deri në javët e fundit.
Në vijim video e ngackimit dhe letra në anglisht e publikuar nga Politiko.al.