Romani “1997” i Kristi Pinderit, promovohet në Begorad!

Libri “1997” i aktvistit të njohur Kristi Pinderi është përkthyer dhe botuar edhe në gjuhën serbe, ndërsa promovimi i tij do të bëhet në Beograd të shtunën në orën 16:00 pranë qendrës së “Belgrade Pride”
Romani është përkthyer nga Gjorgje Bozhoviq, ndërsa është redaktuar në gjuhën serbe nga Irena Jovanoviq.
Organizata “Rebel Readers” (Pubunjene Citateljke) e cila e ka botuar librin në gjuhën serbe shkruan në njoftimin e saj se: “…Ngjarjet e Romanit zhvillohen në kohën e rebelimit të armatosur që përfshiu Shqipërinë në vitin 1997. Në të, rrëfimtari i ri gej sjell një këndvështrim të papërpunuar mbi traumën dhe dhunën ndaj të cilave u ekspozuan banorët e Pogradecit. Fragmente kujtimesh përshkruajnë me besnikëri fëmijërinë dhe edukimin e të rinjve në qytetin buzë liqenit të Ohrit
“1997” shquhet për këndvështrimin e tij unik, shpesh herë në mënyrë prekëse dhe eksplicite duke na përballur me forma të ndryshme dhune ndaj personave LGBTQ+, si dhe ndaj komuniteteve të tjera të diskriminuara si fëmijët, gratë, të moshuarit dhe të varfërit. Ky libër thekson veçanërisht perspektivat dhe përvojat e tyre, pasi këto komunitete janë shpesh të padukshme në korpusin letrar.”
Në ngjarjen e promovimit do të marrin pjesë autori i librit, Kristi Pinderi si dhe përkthyesi dhe redaktorja.
Vetë autori tha se ishte i emocionuar dhe nderuar për botimin e romanit të tij në gjuhën serbe, ndërsa shton se; “Edhe pse libri është një rrëfim personal i fëmijërisë sime, i rritjes si një djalë queer në një qytet të vogël, krejtësisht i izoluar dhe i trembur, mendoj se është gjithashtu një rrëfim i qëndrueshmërisë, i dashurisë, i familjes dhe i pushtetit. Për shkak të kësaj, libri im – shpresoj – nuk ka të bëjë thjesht me mua, por me shumë si unë, të cilët duhet të rimarrin çdo pjesë të refuzuar të vetes dhe të festojnë fuqinë që kemi, dashurinë dhe të vërtetën tonë.”

Romani i cili është botuar për herë të parë në gjuhën shqipe në vitin 2020, i kushtohet nënës së autorit, e cila ishte ndër nënat e para në Shqipëri që mbështeti publikisht komunitetin LGBTQ+.
“Përmes kërcimeve kohore, lexuesit do të udhëhiqen nëpër faza të ndryshme të rritjes së narratorit dhe heroit – nga fëmijëria traumatike dhe adoleshenca deri në moshën madhore. Eksperiencat e para seksuale dhe romantike janë të lidhura pazgjidhshmërisht me dhunën, ndërsa ngjarjet e mëvonshme pasohen nga jeta e tregimtarit që arriti të fitonte fusha të caktuara lirie. Vetë shkrimi i librit shihet gjithashtu si pjesë e atij procesi të luftës.”-thuhet gjithashtu në përshkrimin e aktivitetit ku do të bëhet promovimi i librit në Beograd!/ HistoriaIme