Tregtarët e rrobave të përdorura, protestë përpara bashkisë
Tregtarët e rrobave të përdorura në afërsi të spitalit nr. 5 në Tiranë, kanë protestuar sot përpara bashkisë. Ata shprehen se inspektorët e bashkisë nuk i lejojnë të vazhdojnë aktivitetin e tyre, edhe pse kanë plotësuar të gjitha kushtet që bashkia iu ka vënë.
Disa muaj më parë, gjatë aksionit të Bashkisë për mbylljen e të gjitha bizneseve të pa liçencuara, pre ishin edhe këta tregtarë. Në atë kohë tregtarëve të rrobave të përdorura iu konfiskua malli me pretekstin se nuk figuronin të regjistruar si biznese pranë Zyrës Kombëtare të Regjistrimit. Por sot, këta tregtarë kanë protestuar me çertifikatat e regjistrimit në duar duke kërkuar që t’i lejojnë të punojnë.
“Nuk na lënë të punojmë, kemi plotësuar dokumentet, kemi nxjerrë licenca, por na mbysin me gjoba”– kanë thënë tregtarët për mediat.
Ata shprehen se kanë paguar shumën që u është caktuar nga Bashkia e Tiranës në mënyrë që të vazhdonin punën e tyre, kurse tani ata nuk lejohen më që të vazhdojnë të shesin produktet.
Tregtarët janë larguar nga policia bashkiake me pretendimin se protesta ishte e paligjshme. Gjatë konfliktimit me policinë, një prej protestueseve ka humbur ndjenjat. Ajo u ndje keq dhe u dërgua në spital me autoambulancë. Vetëm pas këtij incidenti, kryebashkiaku Veliaj doli dhe takoi disa përfaqësuesve të tregtarëve.
/m.g