Të dhënat/ Tregtia dominuesja në aktivitetin e biznesit
Sipërmarrja private në vendin tonë vijon të mbetet tek biznesi i vogël. Këtë e konfirmojnë dhe të dhënat e Institutit të Statistikave. Sipas këtyre të dhënave tregtia dominon me 37.4% të ndërmarrjeve, por nga ana tjetër është rritur numri i sipërmarrësve femra.
Sipas te dhënave në grupin e prodhuesve të të mirave mbizotërues janë ndërmarrjet me aktivitet ekonomik industria përpunuese, me 52%.
Në grupin e prodhuesve të shërbimeve mbizotërues janë ndërmarrjet me aktivitet Tregtia me shumicë dhe me pakicë; riparimi i automjeteve dhe motoçikletave, me 47%. Industria përpunuese përfaqëson numrin më të lartë të ndërmarrjeve me 50 e më shumë të punësuar, me 21,1%. Rreth 90% e ndërmarrjeve janë me 1-4 të punësuar. Pjesa më e madhe, 69%, janë ndërmarrje me vetëm një të vetëpunësuar/punësuar.
Rreth 52,6 % e ndërmarrjeve aktive janë përqendruar në qarqet Tiranë e Fier. Mbizotërimi i prodhuesve të shërbimeve është dukuri në të gjitha qarqet, dhe luhatet nga 80,0 % në qarkun Fier deri në 87,7 % në qarkun Tiranë. Po kështu sipas INSTAT në vitin 2014 shkalla e lindshmërisë së ndërmarrjeve të reja është 15,4% nga 10,9% në vitin 2013.
Gjatë këtij viti janë krijuar 17.377 ndërmarrje të reja, krahasuar me vitin 2013 ky numër ishte 12.131. Qarku Lezhë ka shkallën më të lartë të lindshmërisë me 25,6%, ndërsa qarku Dibër më të ulët me 11,7%.
Rritet biznesi që menaxhohet nga femrat
Sipas Regjistrit të Ndërmarrjeve 2014, 28,5% e ndërmarrjeve aktive gjithsej kanë pronare/administratore femra. Femrat drejtojnë apo zotërojnë 31% të ndërmarrjeve të reja, krahasuar me vitin 2013 ku femrat drejtonin apo zotëronin 29,3% të ndërmarrjeve të reja.
Aktiviteti ekonomik “Tregti” shënon pjesëmarrjen më të lartë të ndërmarrjeve me pronare/administratore femra. Krahasuar me meshkujt, në këtë aktivitet femrat zotërojnë apo drejtojnë 34,2% të ndërmarrjeve aktive në tregti.
Gjithashtu 47,9% e ndërmarrjeve të menaxhuara nga femrat kanë aktivitetit ekonomik “Tregti”. 16,1 % e ndërmarrjeve me 50 e më shumë të punësuar zotërohen apo menaxhohen nga femrat 47,5% e ndërmarrjeve me pronare/administratore femra janë në qarkun e Tiranës, ndërsa përqindja më e ulët është në qarqet Kukës dhe Dibër.
Në krahasim me meshkujt, qarqet me përqindje më të lartë e më të ulët me pronare/administratore femra janë përkatësisht Tirana me 30,7% dhe Kukësi me 15,6%.
Ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta të përqendruara në Tiranë
5.245 ndërmarrje kanë pronarë apo bashkëpronarë të huaj. 5,6 % e tyre janë ndërmarrje me 50 e më shumë të punësuar dhe punësojnë 74,2 % të të punësuarve të ndërmarrjeve me pronësi të huaj e të përbashkët.
Ndërmarrjet e mëdha të këtij grupi ushtrojnë aktivitet ekonomik kryesisht në: prodhim veshjesh e këpucësh, call center dhe aktivitete bankare. 81,2% e ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta janë përqendruar në qarqet Tiranë dhe Durrës.
/GazetaDita