Sistemi i ri informatik, çdo veprim tatimor mund të kryehet nga zyra
Tatimet kanë ngritur një sistem të ri informatik, i cili i mundëson bizneseve që çdo veprim tatimor ta kryejnë nga zyrat e tyre përmes llogarisë vetjake elektronike.
Përmes sistemit, ndërmarrjet deklarojnë elektronikisht bilancet, pasqyrat financiare apo ndryshimin e punonjësve vetëm te Tatimet, pa qenë të detyruara ta bëjnë këtë edhe në institucionet e tjera si QKR apo zyrat e punës. Në të njëtën kohë, sistemi informatizon taksa të reja.
Top Channel informon se veç deklarimeve online sistemi i ri informatik i lehtëson ndërmarrjet edhe në pagesën e taksave. Sistemi, i ngritur me ndihmën e FMN, bën të mundur që kontakti i vetëm mes biznesit dhe Tatimeve të jetë ai elektronik. Ndërkaq, një strukturë e posaçme në Drejtorinë e Tatimeve i jep zgjidhje brenda 48 orëve çdo paqartësie apo problemi teknik që mund t’u lindin bizneseve.
Sistemi i ri mundëson rimbursimin elektronik të tvsh-së në të gjithë hallkat nga kërkesa e biznesit deri në pagesën automatike. Po kështu shumë shpejt përmes tij ndërmarrjet mund të shkarkojnë nga zyra cdo vërtetim tatimor për të cilin mund të kenë nevojë.