Shqiptarët dhe punësimi në Gjermani
Edhe pse shqiptarët në Gjermani nuk kanë gati asnjë shans për azil, vala e ardhjeve nga Kosova dhe Shqipëria ka vazhduar, shkruan Deutsche Welle. Me qëllim zvogëlimin e numrit të të ardhurve ilegalë, Gjermania dhe Shqipëria kanë nisur disa projekte të përbashkëta për punësimin. Ndaj nëse një shqiptar mund të dëshmojë se ka gjetur punë në Gjermani, e ka më lehtë të marrë një vizë pune sesa të zgjedh rrugën ilegale.
Ardhja e shumë shqiptarëve në Gjermani ka filluar në fillim të viteve 90-të dhe është shtuar ndjeshëm gjatë luftës së Kosovës. Ndonëse deri në vitin 2008 ka pasur rreth 100.000 të kthyer vullnetarisht, nga fundi i vitit 2014 dhe në veçanti në fillim të vitit 2015, Gjermania është vërshuar nga një valë e re e shqiptarëve.
Gjermania në fund të tetorit të vitit të kaluar e ka ashpërsuar regjimin e marrjes së azilit për shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër, shtetasve të këtyre vendeve u është lehtësuar ardhja legale dhe futja në tregun e punës në Gjermani.
Sipas Kea Decker, shefe për bashkëpunim ndërkombëtar në Agjencinë për Punë, prej disa vitesh ka një bashkëpunim të mirë në fushën e ashtuquajtur ‘kalimi i njohurive’.
Marisa Kacori nga Enti për punësim në Tiranë thotë se “në Tiranë u ofrojnë personave të kthyer nga Gjermania këshilla për punësim në Shqipëri dhe për një rifillim”. „Në kuadër të projekteve të përbashkëta me institucionet gjermane atyre u jepen njëkohësisht informacione për punësim legal në Gjermani”.
Shumë shqiptarë, në radhë të parë ata të fushës së medicinës, kanë ardhur në Gjermani për të kërkuar punë. Të ardhurat mujore këtu janë shumë më të larta se në Tiranë, ku një mjek në klinikë paguhet për shembull rreth 230 euro. Ndërsa në klinikat në Gjermani mungojnë rreth 10.000 punonjës. Në Shqipëri çdo vit kryen shkollën e mesme të mjekësisë rreth 2000 persona, ndërsa punë gjejnë vetëm 300 prej tyre. Në Shqipëri aktualisht të papunë janë rreth 20.000 persona që kanë kryer ndonjë shkollë të mjekësisë.
Situatë e ngjashme është edhe në Kosovë. Dëfrim Rifaj, drejtor i departamentit për punë në Kosovë, thotë se ata “u ofrojnë qytetarëve mundësinë e ardhjes legale në Gjermani. Nuk duam që shtetasit tanë të vijnë në Gjermani si azilkërkues“, pohon Rifaj.
Shkrimi i plotë: Deutsche Welle