Rritja e “call center”, shpëtimtari i punësimit për të rinjtë
Numri i kompanive call center është rritur me shpejtësi deri në dyfishim brenda një viti. Sipas INSTAT në 2014 operonin 414 biznese call center në të gjithë vendin, ose 35% më shumë se në vitin 2013. Krahas rritjes në Tiranë ku rezultojnë të regjistruara rreth 80% e tyre, ky lloj shërbimi po zgjerohet në të gjithë vendin. Shërbimet call center po rezultojnë sot për sot ndër punëdhënësit më të rëndësishëm në Shqipëri, duke amortizuar plagën sociale të punësimit.
Kate pallatesh, apo edhe pallate të tëra po shfrytëzohen për këtë lloj shërbimi. Ritmet e rritjes janë mbresëlënëse, duke u bërë mundësia kryesore ose e vetme për punë aktualisht në pothuajse të gjithë vendin.
Mes njoftimeve të punësimit, pozicioni operator “call center” kryeson, ashtu si rreth 10-15 vite më parë puna më e ofruar në njoftime ishte kamerier.
Të punësuarit në call center, llogaritet të marrin pagesa prej 35-70 mijë lekë në muaj, që luhatet në varësi të kohëzgjatjes së punës dhe numrit të kontratave që nënshkruan.
Për nga ritmet e rritjes, sektori është bërë i pakrahasueshëm. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në vite kur ekonomia po rritet mes 1-2%, ky sektor shërbimesh është zgjeruar në nivele dyshifrore. Ndonëse është cilësuar si punë për të rinjtë, Monitor shkruan se operator në call center, është tashmë edhe një punë për të mbajtur familjen.
Ka nga ata që e kanë nisur me kohë të pjesshme si studentë, e pasi kanë mbaruar studimet kanë krijuar familje duke vijuar të punojnë si operator, por me kohë të plotë, duke e patur kështu burim kryesor të ardhurash.
Monitor shkruan gjithashtu se disa administratorë të kompanive thonë se ka edhe profesionistë që ushtrojnë profesionin në një vend tjetër dhe angazhohen pjesërisht edhe në fushatat e marketingut. “Nuk përjashtohet mundësia që këtu të ketë dhe gazetarë”, thotë Agron Shehaj, një prej themeluesve të parë të këtij lloj shërbimi në vendin tonë.
Por edhe pse Shqipëria na duket si ‘India e vogël e Europës’, në sektorin e call centër në jemi një pikë uji, e nuk hyjmë fare as në hartën e Bashkimit Europian. Bumi i call center në Shqipëri do të jetë pas integrimit të vendit në BE. Vetë ky ndryshim politik, pa asnjë investim privat, do të rrisë volumin e punës, pasi Shqipëria do të bëhet pjesë e listës së vendeve ku mund të kontraktohen shërbime për llogari të të tretëve. /m.g
Shkrimi i plotë: Monitor.al