Rritet papunësia te femrat, ulet te meshkujt
Shkalla e papunësisë ka shënuar rënie për meshkujt dhe është rritur për femrat në tremujorin e parë të këtij viti, në raport me tremujorin e fundit të vitit të kaluar, sipas Anketës së Forcave të Punës së publikuar sot nga INSTAT.
Sipas të dhënave, rezulton se për popullsinë nga 15-64 vjeç, shkalla e papunësisë për femrat është rritur nga 16.1% në tremujorin e fundit të 2014-ës, në 16.8% në tremujorin e parë të 2015-ës. Për meshkujt, treguesi është ulur përkatësisht nga 19.4% në 17.7%.
Në raport me një vit më parë, shkalla e papunësisë për femrat ka mbetur në të njëjtin nivel 16,8 %, ndërsa për meshkujt ka rënë me 2,2 pikë përqindje.
Në total, për popullsinë e moshës 15-64 vjeç shkalla e papunësisë është 17,3 %, duke shënuar rënie si në raport me tremujorin e fundit të 2014-ës ashtu dhe në të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ishte 18.6%.
Gjatë tremujorit të parë të vitit 2015, sipas INSTAT, numri i të punësuarve të moshës 15-64 vjeç është 1.039.545 persona. Numri i personave të papunë të moshës 15-64 vjeç është 217.647 persona.
Ritmi i rritjes së punësimit sipas sektorëve nga tremujori i katërt 2014 në tremujorin e parë 2015 është:
3 % në sektorin e shërbimeve jo të tregut;
2,4 % në bujqësi;
1,9 % në aktivitetet e industrisë nxjerrëse, Energjisë, Gazit dhe Furnizimit me ujë.
Pati rënie të numrit të të punësuarve në:
aktivitetet e ndërtimit me 2,3 %;
në industrinë përpunuese prej 5,3 %;
me 0,8 % në sektorin e shërbimeve të tregut.
Në terma vjetorë, punësimi u rrit me 10,6 % (krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2014). Rritje më të madhe vjetore në punësim patën sektorët e ndërtimit, shërbime të tregut, industria përpunuese dhe bujqësia.