Rreth 40 mijë ndërmarrje të reja në Shqipëri, por gjysma janë fermerë që kanë marrë NIPT-in
Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2015, numri i ndërmarrjeve u shtua me 39, 751, nga të cilat 49% janë fermerë që u pajisën me NIPT.
Vitin e kaluar qeveria ndërmorri një proces formalizimi për bujqësinë duke detyruar fermerët të pajisen me NIPT për të marrë pagesat e subvencioneve. Të dhënat tregojnë se shtimi i numrit të ndërmarrjeve në bujqësi, në pjesën më të madhe nuk është gjë tjetër veçse persona fizikë të pajisur me NIPT. Duke prjashtuar fermerët, ndërmarrjet e reja në sektorin e bujqësisë janë vetëm 1, 651.
Sektori i bujqësisë është përfshirë në një sërë vështirësish ciklike, pa mundur të orientohet drejt zinxhirit të vlerave, raporton revista “Monitor”. Pas shkëlqimit në dukje të rritjes së eksporteve me 25% më 2015, totali i prodhimit bujqësor ka pësuar një rënie me 1.6% më 2015-s, sipas të dhënave të INSTAT. Sektori shënoi në korrik-shtator 2015 rënien e tretë tremujore radhazi, ndërsa INSTAT ka raportuar se ka rënë edhe forca e punës. Në tremujorin e tretë, forca e punës në bujqësi u tkurr me -3.1%, ndikuar nga emigracioni masiv i vitit të kaluar.
Një tjetër tregues paradoksal është që edhe pse Shqipëria mbetet vendi me peshën më të lartë të bujqësisë në rajon në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, vendi ynë vijon importojë produkte bujqësore, 4.7 herë më shumë se sa eksporton.
/l.k./