Reportazh: Kur të diplomuarit i kthehen kurseve profesionale për të mësuar zanat
Drejtoria Rajonale e Formimit Profesional Publik Nr. 4 ( DRFPP 4), ndodhet në vendin që shumë e njohin si “Ish-Shkolla e Rezervave”. Një ambjent ku gjen persona nga të gjitha moshat që kanë zgjedhur të mësojnë një zanat si mënyrë për të hyrë në tregun e punës.
Gjëja e parë që më tërheq vëmendjen sapo hyj në oborr është një serrë ku kursantët e kopshtarisë praktikohen në rritjen e produkteve bujqësore apo dekorative.
“Serra është ndërtuar përmes bashkëpunimit me kurset e tjera. Projektin e kemi bërë ne si instruktorë, ndërsa për ndërtimin e saj janë kanë punuar kursantët e saldimit të hekurit” , tha Vajdie Elezi instruktore e luleshtarisë.
Serra e ndërtuar nga kursantët e DRFPP 4
Në një zyrë të vogël pranë DRFPP 4 ndodhet organizata DEV AID, vendi ku një grup të rinjsh punojnë për integrimin në tregun e punës të grupeve në nevojë të shoqërisë. Gerta Shehu, përfaqësuese e DEV AID, më tregon se si kjo organizatë punon për krijimin e një rrjeti bashkëpunimi me Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Drejtoritë e Formimit Profesional për të trajnuar dhe kthyer drejt tregut të punës gra të dhunuara, persona me aftësi të kufizuara dhe grupe të tjera nevojë.
DRFPP 4 është e ndarë në katër departamente në të cilat zhvillohen rreth 60 kurse për këdo që kërkon të mësojë një zanat apo të përforcojë njohuritë mbi zanatin që ushtron. Drejtori i kësaj qendre, Piro Jani, shpjegon se një pjesë e kurseve si kuzhina apo saldimi janë ndarë në disa nivele. Ky ndryshim është bërë për të ofruar njohuri më të thelluara rreth zanateve që kërkohen më shumë në tregun e punës.
“Ndër kurset që kanë më tepër kërkesë janë kursi i kuzhinës, elektroaut, riparimi i automobilave, parukeria dhe kursi i rrobaqepësisë” tha për Historia Ime, Piro Jani.
Ai tregon se një pjesë e mirë e kurseve ofohen falas për grupet në nevojë si gratë e trafikuara, fëmijët jetim, emigrantët e kthyer apo komuniteti Rom dhe Egjiptian, por edhe për këdo që klasifikohet si punëkërkues i papunë.
Gjithnjë e më shpesh, persona që kanë mbaruar studimet universitare po ndjekin kurset profesionale. Sipas të dhënave statistikore që mban ky institucion, numri i kursantëve që kanë përfunduar universitetin është më i lartë nga ata që kanë arsim 9-vjeçar.
“Mosha kryesore e kursantëve është tek 25 deri në 30 vjeç, për të vetmen arsye se përfundojnë një apo dy shkolla të larta, nuk e gjejnë veten në tregun e punës dhe më pas zgjedhin të ndjekin një kurs formimi profesional” thotë Z. Jani.
Vizita në klasat ku zhvillohet mësimi nis me kursin e rrobaqepsisë, ku punohet për stilimin, projektimin dhe qepjen e veshjeve. Adelina Saraçi një vajzë 19-vjeçare, tregon arsyen pse ka zgjedhur këtë kurs dhe aspiratat e saj: “E kam zgjedhur rrobaqepësinë sepse është një profesion i bukur, fillimisht pres të mësoj diçka për veten time, më pas shpresoj për hapjen e ndonjë dyqani të vogël ku të kem mundësi t’u shërbej njerëzve që kanë nevojë për veshje”.
Foto nga ambjentet e kursit të rrobaqepësisë
Më tej vizitoj kursin e Asistentëve Social, një klasë ku gjen larmi moshash, nga studentët e Shkencave Sociale që vijnë për të marrë njohuri praktike rreth profesionit të tyre të ardhshëm e deri tek zonjat më të mëdha në moshë që e shohin kursin si mundësi për t’u rikthyer në një jetë aktive, pas një periudhe të kaluar pa punë.
Foto nga ambjentet e kursit të elektronikës
Në departamentin e teknikës më tërheq vëmendjen një projekt 3D i realizuar nga kursantët e instalimit dhe riparimit të paneleve diellore. Kurset për elektroaut, hidraulikë, elektronikë janë ndër më të kërkuarat dhe nga biseda me kursantët mësoj se thuajse të gjithë janë të punësuar ose presin të punësohen së shpejti.
Indrit Gjinaj, është një prej kursantëve të elektronikës. Ai më tregon se prej vitesh e ushtron këtë profesion, por ka zgjedhur të ndjekë edhe kursin për të marrë më shumë njohuri.
“Forimimi im ka qenë profesional, nuk e kam ndjekur shkollën sepse arsyet ekonomike më kanë sjellë në këtë rrugë. E zgjodha këtë kurs sepse elektronika është e gjithanshme dhe ka nevojë gjithmonë për njohuri plus. Në përfundim të këtij kursi shpresoj të marr njohuritë më të mira të mundshme”, tha Indrit Gjinaj.
Vizita ime vazhdon në klasën e kuzhinës, ku takoj të tjerë kursantë që marrin njohuri për të dalë në treg si kuzhinierë, banakierë apo shërbime të tjera të hotelerisë dhe turizmit. Gjatë bisedës me instruktorin e kursit mësoj se një nga kursantët ka marrë pjesë në “Master Chef Albania”, konkurs i njohur në fushën e kulinarisë. “Për këtë arsye”, më tregon ai, “kabineti i kuzhinës është përshtatur që t’i ngjajë skenës së atij konkursi”.
Foto nga ambjentet e kursit të kulinarisë
Disa kursantë të profileve të ndryshme folën rreth arsyeve pse kanë zgjedhur formimin profesional, shpresave dhe aspirtave të tyre për të ardhmen. Për t’i dëgjuar të përmbledhura në një bllok intrevistash, klikoni më poshtë.
*Lorin Kadiu
http://historiaimecom.polldaddy.com/s/cila-%C3%ABsht%C3%AB-tema-q%C3%AB-na-sugjeroni-p%C3%ABr-podcastin-e-radh%C3%ABs-1