Përfitimet e grave shtatzëna, nga ndryshimet në Kodin e Punës
Ndryshimet në Kodin e Punës dhe ligjin “Për Sigurimet Shoqërore”, kanë përcaktuar qartë mbrojtjen që do ti bëhet nënave me fëmije dhe pagesave që do përfitohet për barrëlindjen.
Sipas Kodit të ri do të merren masa që gruas shtatzënë t`i garantohet kryerja e vizitave të nevojshme mjeksore, siguria dhe mbrojtja e shëndetit, si dhe ndalimin e punës së natës kur ajo është e dëmshme për shëndetin e gruas shtatzënë apo me fëmijë në gji.
“Në rastin e kthimit në punë, pas periudhës 63 ditore, kur bëhet e papërshtatshme për punën e natës, ajo transferohet në një punë të barazvlefshme ditën, duke i garantuar edhe kompesim në pagë kur ka diferenca”, – përcaktojnë ndryshimet në Kod.
Ndryshime ka edhe përsa i përket të ardhurave që do të përfitojnë këta persona. Periudha e përfitimit do të jetë 365 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 35 ditësh para dhe 63 ditësh pas lindjes së fëmijës.
Për gruan që do të ketë në barrë më shumë se një fëmijë, periudha e përfitimit do të jetë 390 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 60 ditë para dhe 63 ditë pas lindjes së fëmijëve.
“E ardhura për barrëlindje për gruan e siguruar është 80% e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto, të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e marrjes të së drejtës për pagesë për periudhën e paralindjes dhe për 150 ditë kalendarike pas lindjes”, – përcakton ligji.
/shqiptarja.com