Numri i grave drejtuese në biznese, kryesojnë Tirana dhe Lezha
Numri i grave që drejtojnë një ndërmarrje në Shqipëri, është më i lartë në Qarkun e Tiranës dhe Lezhës. Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë 2016-ës femrat zotëruan 26,8% të ndërmarrjeve aktive gjithsej, krahasuar me 31,3% gjatë vitit 2015.
Në Qarkun e Tiranës, femrat drejtojnë më shumë se 32% të bizneseve, ndërsa në Qarkun e Lezhës 30%. Aktivitetet e drejtuara nga femrat janë kryesisht ndërmarrje me 1 – 4 të punësuar, të cilat zënë 92,7% të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve të drejtuara nga ato.
Krahasuar me vitet ’90, ku pjesëmarrja e grave në forcën punëtore ishte rreth 53%. Sot ky tregues përllogaritet rreth 55.1%, sipas të dhënave të INSTAT.
Sipas raportit të Hendekut Global Gjinor nga Forumi Ekonomik Botëror, Shqipëria ka përmirësuar renditjen e saj me 8 vende krahasuar me një vit më parë, duke u listuar e 62-a nga 144 vende, të cilat janë marrë në konsideratë. Por, renditja vijon të jetë më keq se në vitin 2006-n, kur Shqipëria renditej në vendin e 61. Ky indeks mbështetet në katër shtylla bazë, në pjesëmarrjen në ekonomi, nivelin arsimor, shëndetin dhe pushtetin në politikë.
Burimi: Revista Monitor