Njëqind idetë për punësimin e romëve dhe egjiptianëve
Projektet që mundësuan vetëpunësimin dhe krijimin e bizneseve për dhjetëra familje
Tri qarqe – Korça, Vlora dhe Berati janë tri qarqet që kanë përfituar nga projekti i përbashkët mes BE-së dhe PNUD-it, të mbështetur nga Ministria e Mirëqenies Sociale
SSIREC – Kështu quhet projekti që u ka ardhur në mbështetje familjeve të komuniteteve rome dhe egjiptiane, për të cilat janë investuar 1.5 milionë euro për tri qarqet
Udhëtimin për në fshatin Llakatund e ‘shoqëron’ një shi veror. Distanca nga Vlora është 30 kilometër, në një largësi kohore 30 minuta. Rrugës gjarpëruese i kanë dalë të shtatë shtresat e asfaltit e hedhura ndër vite dhe gropat e panumërta janë bashkudhëtaret tona. Në Llakatund jetojnë rreth 60 familje rome. Rruga e fshatit prej 650 metrash është e shtruar me asfalt falë fondit të dhënë nga BE-ja dhe PNUD-i, organizmat që bashkëpunojnë në një program të cilësuar SSIREC. Investimi për këtë segment është 9 milionë lekë. Banorët shprehen se kjo i ka ndihmuar së tepërmi, edhe pse përpara ishin tepër mosbesues, pasi përherë ka pasur premtime dhe nuk janë mbajtur. “Më përpara na premtonin për të marrë votat dhe nuk na i hidhnin sytë, tani është ndryshe”, shprehet një nga banorët. Përfitues nga ky investim janë dhe banorë të komunitetit jorom. Programi SSIREC është shtrirë dhe në forma të tjera, ku banorëve të këtij komuniteti u jepet ndihmë monetare në ngritjen apo mbështetjen e biznesit, si përfitues të projektit “100 ide për t’u vetëpunësuar”. Financimi për bimët mjekësore, si sherbela, është një nga projektet e shumta të ofruara për tri qarqet Vlorë, Berat dhe Korçë. Në zonën e Llakatundit, banorët që merren me kultivimin e këtyre bimëve shprehen për nevojën që duhet për gjetjen e mallit stok. Veç ndihmës për fidanishten ata duan që projekti t’i ndihmojë dhe për gjetjen e firmës që do t’ua mundësojë shitjen e sherbelës. Nga projektimi mësojmë se kanë përfituar edhe disa familje në Moravë të Beratit. “E kam në magazinë mallin, e nuk ka kush ta shesë, pasi djali ka ikur me familjen në Gjermani”, shprehet e përlotur nënë Esmaja. Përfaqësuesja e PNUD-it, Nora Kushti, i premton asaj se do ta ndihmojë për shitjen e mallit stok, duke kontaktuar me drejtuesit e shoqatave që kanë qenë pjesë e projektit. Ndërsa Ermal Avdiu, familja e të cilit ka qenë përfituese e projektit, rrëfen se janë 10 familje që janë kthyer, pasi kanë dëgjuar për krijimin e financimit të bizneseve të vogla. Banorët e fshatit Moravë kanë përfituar nga shtrimi i rrugës prej 650 metër. Për sistemin, asfaltimin, kanalizimin dhe sinjalistikën janë shpenzuar rreth 9.5 milionë lekë.
Punimet artizanale
Miranda Selmani është përfituesja e programit mbështetës për nxitjen e vetëpunësimit. Ajo është trajnuar për punë artizanale, të bërjes së rruazave, flamujve, varëse të ndryshme. Për të makina qepëse është mjaft e vlefshme, ashtu edhe lënda e parë si rruaza, muline, kapëse varësesh. Pasi i punon me familjen e vet, Miranda i shet në një qendër të qytetit të Beratit. Teksa ekspozon punimet e saj artizanale, tregon punën e lodhshme që kryen, pasi çdo “produkt” që del nga dora e saj kërkon një kohë të caktuar. Një flamur i kushton pesë ditë kohë për t’u punuar. “Turistët nuk para blejnë në Berat, më tepër vendasit. Marr dhe porosi me telefon, pasi më kërkojnë varëse apo mbajtëse të personalizuara, me emër. Vetëm për një varëse që e mbështjell dhe e punoj më kushton gjashtë orë punë”, rrëfen Miranda, teksa nuk harron të falënderojë ata që ia mundësuan ngritjen e këtij biznesi. Por çmimet që i shet mallrat janë të pakta, aq sa nuk e kënaqin, e kjo për faktin e gjendjes ekonomike që ndodhet Berati. Nëse do të gjente mundësi shitjeje të mallit në Tiranë, mundësitë e fitimit mund të jenë të dyfishta. Për një varëse që i kushton gjashtë orë punë, Miranda shprehet se e shet vetëm 600 lekë të reja.
Poçari i Akropolit
Pjesë të projektit për financime për biznesin është dhe Romeo Zavalani. Është financuar me blerjen e një furre më të mirë për Poçerinë e tij. Ai e ka nisur që 13 vjeç këtë zanat, duke bërë të gjitha llojet e qeramikës. Tashmë 35-vjeçar, Romeo është një mjeshtër, punimet e të cilit po pushtojnë dhe Akropolin. Terakot e tij shiten dhe në Greqi. Investimi ka ndihmuar që prodhimet të dalin të një cilësie më të mirë. Ai ka punuar e ka marrë zanatin nga më mjeshtri i qeramikës, Vasillaq Kolevica. “Nuk besoj se mund të arrij apo të krahasohem me të, ai është një mjeshtër i madh”, shprehet Zavalani.
Mjeshtrit e muzikës
Familja Vizani është një nga përfituesit e projektit, ku pajisja prej 240 mijë lekësh, mixer-i u ka mundësuar atyre mundësinë të ushtrojnë biznesin si muzikantë. Flamur Vizani, 48 vjeç, është klarinetist, e gjejmë duke mbledhur pjesët e vjetra të tjegullave, pasi tashmë shtëpia ka një çati të re. Ndërsa i biri, “mjeshtri” 24-vjeçar, Sebastiani, është ai që ka aplikuar dhe ka fituar projektin. Veç pjesëmarrjes në grupin muzikor, Sebastiani është tashmë një DJ që merr pjesë në aktivitete të ndryshme. Përfitues të projektit janë dhe Klodian Laze dhe Silvana Qori, që janë financuar për blerjen e pajisjeve për çeljen e një studioje muzikore. Ata shprehen se mund të kompozojnë dhe këngë të ndryshme dhe madje shfaqen tejet optimistë.
/gazetashqip