Miliona vende pune të kërcënuara nga industria 4.0?
Në Forumin Ekonomik Botëror të organizuar pak ditë më parë në Davos, Zvicër, u vu theksi tek shndërrimi gjigand i botës së punës. Fjala është për Industrinë 4.0 – pra për prodhimin e drejtuar nga kompjuterat dhe përhapjen gjithnjë e më të madhe të teknologjisë edhe në sektorin e shërbimeve, duke mënjanuar gjithmonë e më shumë njeriun.
“Ne ndodhemi në fillim të një revolucioni, si pasojë e të cilit, mënyra si jetojmë, punojmë dhe veprojmë me njëri-tjetrin do të ndryshojë në mënyrë rrënjësore”, tha organizatori i Forumit të Davosit Klaus Schwab.
Sipas një sondazhi të realizuar në 15 vende, industria 4.0 do të ketë pasoja negative në tregun e punës, teknologjitë në pesë vitet e ardhshme mund të eleminojnë shtatë milionë vende pune. Kjo prek jo vetëm vende pune në fabrikat e automatizuara plotësisht, por këtë herë prek edhe punonjësit e administratës dhe sektorin e shërbimeve.
Këshilltarë investimesh, infermierë, shoferë taksish shumë profesione të tjera, do të konkurojnë me teknikën. Por nga ana tjetër, do të krijohen vende të reja pune për specialistë kompjuterash dhe teknike, megjithëse mendohet se do të jenë vetëm dy milionë vende të tilla.
Askush nuk ka dyshim se Industria 4.0 do të sjellë shumë më tepër para në arka – çështja që shtrohet është vetëm për kë? Ka propozime që të rriten taksat ose të bihet dakord për të ardhura të garantuara bazë. Por vendimtare do të jetë se a do ta kundërshtojnë dot me sukses pronarët e makinerive tepër komplekse një rishpërndarje të pasurisë, mendojnë ekspertët.
/m.g
Burimi: Deutsche Welle