Ligji i ri “Për Punëkërkuesin”; Ndryshojnë kushtet për ruajtjen e statusit të të papunit
Ligji i ri “Për punëkërkuesit”, përcakton disa detyrime që çdo individ duhet të përmbushë në mënyrë që të mos humbasë statusin e të papunit. Personat duhet të paraqiten çdo muaj pranë zyrës së punës, duhet të raportojnë se kanë bërë përpjekje individuale për të gjetur një punë, duhet të vërtetojë se është refuzuar në programet e nxitjes së punësimit apo i është refuzuar një vend pune qoftë edhe një herë të vetme. Këto dhe disa kushte të tjera nëse nuk zbatohen nga personat “e papunë”, rrezikojnë të humbasin statusin.
Sipas ligjit të ri, status i punëkërkuësit (i të papunit), hiqet ose refuzohet nëse personit i është bërë një ofertë pune apo programe të tjera të përshtatshme dhe ato janë kundërshtuar. Edhe në rastet kur punëkërkuesi nuk kërkon punë, refuzon pjesëmarrjen në formimin profesional, ka gjetur vetë punë apo ka bërë një deklaratë false, nuk do të përfitojë më nga statusi “i të papunit” apo nga ndihma sociale (nëse merrë).
Sipas ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, ky ligj synon që “të zhdukë dembelizmin pasi shumë nga ata që regjistrohen në zyrat e punës e bëjnë për të përfituar pagesën e papunësisë dhe jo për të gjetur punë”.
Nga ana tjetër, sipas një publikimi të Gazetës Shqiptare, kjo nuk është e vërtetë pasi vet ministria e Mirëqenies Sociale ka nxjerrë shifrat që 48% e të regjistruarve përfitojnë nga programet e ndihmës ekonomike ndërsa 52% nuk kanë asnjë përfitim.
Po ashtu, nga 48% të përfituesve, vetëm 5% janë përfitues të pagesës së papunësisë.
Ky ligj është botuar në fletoren zyrtare ditën e djeshme dhe hyn në fuqi pas 15 ditësh.
/m.g