INSTAT: Meshkujt kanë pagë mesatare 10% më të lartë se femrat
“Publikimi “Femra dhe Meshkuj, 2015” na paraqet një gamë të zgjeruar të treguesve të Anketës së Matjes së Nivelit të Jetesës 2012, duke pasqyruar indikatorë të paprodhuar më parë siç janë ato mbi situatën shëndetësore si edhe përdorimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit sipas gjinisë, si dhe hendeku gjinor në paga” – ka deklaruar gjatë konferencës së sotme kreu i INSTAT.
Sa i përket risive të këtij publikimi, janë përfshirë këtë herë personat me aftësi të kufizuar, ku për herë të parë INSTAT mblodhi nga Universitet publike numrin e studentëve me aftësi të kufizuar.
Nje fakt i bërë publik ishte se Meshkujt janë ata që përdorin më shumë kompjuterin, internetin dhe zotërojnë një adresë e-maili në krahasim me femrat. Ndërkaq, Femrat sërish në disavantazh, tani në aspektin e tregut të punës, janë më pak aktive në tregun e punës me një hendek prej 20,9 pikë përqindje.
Ky publikim po shkon gjithnjë e më shumë drejt harmonizimit të plotë me listën e Treguesve të Harmonizuar për Barazinë Gjinore dhe Statusin e Grave në Shqipëri. Botimi “Femra dhe Meshkuj 2015” është pasuruar me listën e ndryshimeve kryesore të ligjshmërisë kombëtare në fushën e barazisë gjinore gjatë viteve 1995- 2013.
Për herë të parë INSTAT-i, është bazuar tek të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ka llogaritur hendekun gjinor në paga. Ky tregues është llogaritur në total vendi dhe sipas grup profesioneve për të dyja gjinitë.
Sipas të dhënave të publikuara, rezulton se paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në Shqipëri në vitin 2014 është 45.539 lekë.
Për të punësuarit meshkuj paga mesatare mujore bruto është 47.664 lekë dhe për femrat është 42.852 lekë. Në sektorin privat, hendeku gjinor në paga është 10 %, që nënkupton se meshkujt mesatarisht kanë një pagë mesatare mujore bruto 10 % më të lartë sesa femrat.
Në ndërmarrjet private shqiptare hendeku gjinor në paga është 8%, ndërsa në ndërmarrjet e përbashkëta ky tregues është 37%.
Gjithashtu, hendeku gjinor në paga ndryshon në varësi të llojit të pronësisë së ndërmarrjes. Meshkujt e punësuar në ndërmarrjet e huaja kanë një pagë mesatare mujore bruto më shumë se dyfish më të lartë sesa femrat.
“Instituti i Statistikave po punon për përmirësimin e treguesve aktualë si dhe për krijimin e statistikave të reja, të cilat synojnë të japin një panoramë edhe më të plotë të gjendjes ekonomike, shoqërore dhe kulturore të Shqipërisë. Botimet e reja apo të rikonceptuara krejtësisht gjatë këtij viti, si Shqipëria në Shifra, Vjetari Statistikor Rajonal, Tregu i Punës, Analiza e Kostove të Punës, Ecuria e Tregtisë së Jashtme, etj., janë një dëshmi e qartë që ne po përpiqemi t’i vijmë sa më pranë përdoruesit me produkte statistikore të reja dhe analitike.” – tha në fund kreu i INSTAT.