Femrat zënë një përqindje të lartë të numrit të të punësuarve në administratën shtetërore

Në administratë, pjesa më e madhe e vendeve të punës mbizotërohet nga gratë. Nga të dhënat e deklaruara për 5502 punonjës janë nxjerrë edhe disa prej treguesve kryesore të lidhur me moshën mesatare dhe gjninë.
“Në 2020 ka pasur një tendencë të lehtë në rritje drejt gjinisë femërore që paraqitet në shifrën prej 54 % të nënpunësve civilë dhe gjnia mashkullore në 46%, në institucionet e vetëqeverisjes vendore. Mosha mesatare e grave është 39 vjeç dhe e meshkujve është 43 vjeç, ndërsa e nëpunësve civilë është 41 vjeç” thuhet në raportin e Komsionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil.
Raporti i Komisionerit ka bërë një analizë lidhur me arsimimin e punonjësve dhe raportet gjinore, per sa i përkret mbikëqyrjes në institucionet e qeverisë qëndrore.
Nga kryerja e një kampioni studimor, për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale nga 107 nënpunës civilë, 76 prej tyre janë të punësuar në institucionet e administratës shtetërore dhe 31 të tjerë të punësuar në institucionet e administratës shtetërore në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës,
rezulton se numri total i punonjësve të gjinisë femërore është 75 ose 70% dhe i gjinisë mashkullore 32 ose 30%.
“Ndërkohë, në lidhje me institucionin arsimor ku janë diplomuar 107 raste të verifikuara, ka rezultuar se, 99 punonjës janë arsimuar në institucione të arsimit publik; 7 të tjerë në institucione të arsimit privat dhe 1 punonjës ka kryer studimet jashtë vendit. Në këto shifra, 92% e zënë nëpunësit civil që e kanë marrë edukimin arsimor në arsim publik, 7% në arsimin privat dhe 1% jashtë vendit” thuhet në dokument.
Lidhur me largimet që mund të jenë bërë nga institucionet në vitin e kaluar është nënvizuar se në shumicën e rasteve ato kanë qenë të lidhura me ristrukturimet. Si shkak i dytë janë masat disiplinore që mund të jenë marrë ndaj punonjësit apo dorëheqjet dhe vlerësimet “jo i kënaqshëm” sa i takon performancës./ Historia Ime