Avokatët, bojkot në shenjë proteste ndaj rritjes së pagesave për sigurimet shoqërore
Që prej ditës së djeshme Dhoma e Avokatisë ka paralajmëruar bojkot 3-ditor në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë për rritjen e pagesave të sigurimeve shoqërore për profesionet e lira.
Vendimi për bojkotin është marrë për shkak se qeveria nuk reagoi ndaj kërkesave të tyre. Avokatët kanë paralajmëruar për përshkallëzim deri në 6 muaj bojkotim të gjyqeve apo braktisje të seancave gjyqsore të masave të sigurimit, nëse qeveria nuk reflekton mbi kërkesat e tyre.
Kryetari i Dhomës së Avokatisë ka thënë për Gazeta Shqiptare se shumica e avokatëve nuk sigurojnë dot të ardhura minimale, ndaj vendimi për rritjen e taksave do t’i detyronte të braktisnin profesionin.
Gjatë ditës së sotme Gjykata e Krimeve të rënda kishte planifikuar 26 çeshtje, por asnjëra nuk është zhvilluar për shkak të grevës, shkruan Panorama.
Rritja e pagesës së kontributeve shoqërore e shëndetësore dhe taksat e reja vendore për: tabelën, reklamën, infrastruktura arsimore etj, e kanë shtuar barrën fiskale për profesionet e lira duke bërë që raporti i taksave ndaj fitimit të kalojë 60%. /m.g