Pse diskriminimi ndaj individëve transgjinorë është një sulm ndaj shoqërisë?

Diskriminimi ndaj personave transgjinorë nuk i dëmton vetëm ata. Prek edhe gratë, njerëzit që nuk përshtaten me normat tradicionale të gjinisë dhe grupe të tjera të margjinalizuara. Një shembull konkret është rasti i Kalaya Morton, një gruaje lezbike me ngjyrë që u ngacmua nga policia në tualetin e një Walmart-i në Arizona, vetëm sepse “dukej si burrë.”
Morton, e cila vesh rroba me stil më mashkullor, po përdorte tualetin e grave kur dikush mendoi gabimisht se ishte burrë dhe thirri policinë. Ky është një shembull i prekshëm se kornizat e gjinisë dëmtojnë këdo që nuk përshtatet me imazhin tradicional të një gruaje. Ligjet anti-trans shpesh justifikohen me arsyen e “mbrojtjes së grave,” por në realitet, ato çojnë në ngacmimin e grave si Morton në hapësirat publike.
Eksperienca e Morton tregon gjithashtu se diskriminimi është edhe më i keq për gratë me ngjyrë dhe për komunitetin LGBTQ+. Si një grua zezake, ajo përballet me paragjykime racore, dhe fakti që nuk paraqitet sipas normave tradicionale të feminitetit e bëri atë një objektiv të seksizmit dhe transfobisë.
Ky rast tregon se si gratë me ngjyrë dhe njerëzit LGBTQ+ janë shpesh të parët që vuajnë nga rregullat e ashpra gjinore që ne si shoqëri i vendosim pa rend e vend.
Po kush ndihet i sigurt?
Ligjet anti-trans që ndalojnë njerëzit të përdorin tualetin që përputhet me identitetin e tyre gjinor pretendojnë se bëjnë gratë më të sigurta. Por në realitet, ato krijojnë frikë dhe dyshim, duke çuar në ngacmimin e grave të pafajshme vetëm sepse nuk duken “mjaftueshëm femërore.” Rasti i Morton provon se këto ligje nuk mbrojnë gratë përkundrazi, vënë më shumë njerëz në rrezik.
Diskriminimi ndaj personave trans forcon një kulturë ku kushdo që nuk i përshtatet stereotipeve gjinore mund të bëhet shënjestër. Mbrojtja e të drejtave të personave trans, është një betejë për lirinë e të gjithëve për të ekzistuar pa frikën e një syri të jashtëm.