Zhvillohet për të tretin vit konkursi “Gjyq Stimulues i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”
Zhvillohet për të tretin vit konkursi “Gjyq Stimulues i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut” nga Qendra Evropiane dhe Civil Rights Defenders në Shqipëri. në këtë konkurs marrin pjesë studentë të Drejtësisë nga fakultete të ndryshme në vend.
Në fazën gjysmëfinale që u zhvillua pranë Gjykatës së Apelit Tiranë në datën 19 nëntor, morën pjesë 6 skuadra. Studentë nga Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës; Universiteti i Shkodrës Luigj Gurakuqi; Universiteti i Vlorës Ismail Qemali; Albanian University, SH.L.U.J Marin Barleti dhe Shkolla e Lartë Hëna e Plotë – Bedër, me ekipe të përbëra nga 6 studentë argumentonin dhe mbronin të drejtat e pretenduara duke u bazuar në kazusin fiktiv.
Gjyqet e stimuluara u monitoruan nga trupi gjykues i cili përbëhej nga tre gjyqtarë: Znj. Migena Leskoviku (Kryetare), Dorian Matilja (Anëtar), Znj. Vjollca Meçaj (Anëtare). Ky aktivitet ka për qëllim simulimin e një procedure të ngjashme me atë të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, si dhe përmirësimin e aftësive praktike të studentëve për të mbrojtur përpara një trupi gjykues një çështje të caktuar.
Pas performimit të të gjitha skuadrave, juria vendosi për dy skuadrat finaliste nga Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës dhe SH.L.U.J Marin Barleti. Skuadra fituese do të përfaqësojë Shqipërinë në konkursin rajonal, i cili në vitin 2017 do të mbahet në Tiranë. /m.g/