Universitetet nuk ulin tarifën për shtresat e pafavorizuara; Reagon studentja: “Pse po hesht?!”
Një Vendim i Këshillit të Ministrave u jep të drejtën studentëve që u përkasin disa shtresave sociale të pafavorizuara të paguajnë vetëm 50% të tarifës vjetore të ciklit të dytë të studimeve “Master Profesional”, “Master Shkencor” apo “Master i Arteve të Bukura”.
Por ky vendim nuk është miratuar nga Universitetet dhe një numër i madh studentësh rrezikojnë të humbin sezonin e provimeve për shkak të pamundësisë për të paguar tarifën e plotë.
Një prej studentëve të penalizuara nga kjo situatë, ka ndarë në redaksinë e Historia Ime këtë reagim:
Pse po hesht?!
Brezi i ’95 gjithmonë ka qenë i destinuar të bëhet model eksperimental.
A thua dhe këtë herë të ndodhë përsëri?
A është e drejtë të fiket një shpresë, një brez?!
Më është dashur bashkë me familjen të sakrifikoj shumë derisa përfundova një cikël të shkollimit tim universitar. Tani po bëhet më e rëndë me vendimin që ka ngrirë. Duhet të presim vendimin më thotë sekretaria. Unë nuk mund të hesht më. Po të flas ty që me firmën tënde do ndërpresësh një ëndërr. A sheh jashtë rrethit tënd burokratik, se sa e vështirë është jeta e një studenti që vjen nga komunitetet si Rome apo Ballkano-Egjiptiane?
Jo s’mund ta dish, e vetmja gjë që ti di është të më heqësh dhe atë 50% e taksës të pagesës së studimit të masterit. Kur unë të trokas në zyrën tënde për të kërkuar punë a do më ofrosh? Përgjigja është një JO e madhe, dhe preteksti i vetëm se nuk do kem kualitetin e duhur pasi mungon diploma e masterit. Kur të pyesin a ka integrim në komunitetet Rome, Ballkano-Egjiptiane përgjigja është me statistika skandaloze. Heshtja është mos interesim ndaj një gjenerate e cila po kërkon të dalë nga kornizat “Ato nuk duan shkollim” apo dhe më të rënda paragjykime. Është gjeneratë që po kërkon ndryshimin a po na e jep mundësin?
Integrim kërkoni ,integrim duam por kur heshtja flet dhe firma burokratike vepron, ajo vret breza…
*Dorina Fejzullahu