Tjetër ndryshim në mes të lojës për maturantët, këtë herë universitetet dhe MAS bëjnë “autokritikë”
Ministria e Arsimit (MAS) dhe universitetet premtojnë se do të ketë një problem më pak për maturantët në fazën e dytë të garës për të drejtat e studimit. Pas bisedimeve të përfaqësuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim me MAS është premtuar se nxënësit që nuk kanë zhvilluar gjatë tre viteve të gjimnazit një prej grup lëndëve që kanë peshë në renditjen e tyre nuk do të penalizohen.
Cili është problemi që është premtuar të ndryshohet?
Këtë vit mënyra e përzgjedhjes së kandidatëve për kuotat e studimit merr parasysh në vlerën 30% – 50% (sipas kritereve që ka vendosur secili universitet) rezultatet e grup lëndëve që përkojnë me profilin e programit të studimit ku kandidati aplikon.
Për shembull, nëse një maturant aplikon në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë 50% të vlerës në renditjen e tij e kanë rezultatet që ka marrë gjatë viteve të gjimnazit në lëndët : Gjuhë Shqipe dhe letërsi, Histori, Gjeografi, Sociologji, Filozofi, Psikologji, Qytetari, Gjuhë e huaj, Histori Arti apo Histori Muzike.
Një pjesë e maturantëve janë penalizuar vetëm për shkak të emërtimit të lëndëve, pra sepse e njëjta lëndë që diku emërtohet “historia e muzikës” konsiderohet e vlefshme ndërsa nëse ka emrin “muzika” shumëzohet me koeficient 0.
Por ka pasur edhe shumë raste të maturantëve që nuk i kanë zhvilluar këto lëndë, herë sepse kanë bërë zgjedhje të tjera e herë se gjimnazi ku kanë studiuar nuk ia ka ofruar ato. Në këto raste lëndët janë shumëzuar me koeficientin 0, gjë që i ka ulur shumë në renditje.
Tjetër ndryshim “në mes të lojës”
Sipas fjalëve të përfaqësuesve të LSI, Ministria e Arsimit ka rënë dakord që të bisedojë me rektorët e universiteteve për ndryshimin e kritereve, që nënkupton më shumë fleksibilitet në caktimin e lëndëve që kanë peshë në renditjen e maturantëve, duke bërë të mundur që asnjë lëndë të mos vlerësohet me koeficient zero por të zëvendësohet me lëndë të ngjashme.
MAS dhe universitetet duket se kanë rënë dakord në parim dhe ndryshimet do të jenë pjesë e udhëzimit nr.13 për aplikimin në universitete.
Por duhet thënë se ky ndryshim i radhës në mes të procedurës së regjistrimit mund tu duket i padrejtë maturantët që tashmë kanë aplikuar dhe janë shpallur fitues në degë të caktuara, pasi me koeficentët e rinj ata do të kishin mundësi të fitonin në më shumë degë.
/l.k./