Thirrje për aplikim: Shkolla për Mbrojtësit e të Drejtave të Njeriut
Civil Rights Defenders ka kënaqësinë t’ju ftojë të aplikoni në Shkollën për Mbrojtësit e të Drejtave të Njeriut, program edukimi nëntë javor që synon fuqizimin e të rinjve (dhe jo vetëm) të përkushtuar në çështje të të drejtave të njeriut. Thirrja iu drejtohet studentëve të shkencave shoqërore dhe te tjerë, gazetarëve, juristëve, aktivistëve të lëvizjeve të ndryshme shoqërore dhe kujtdo që ka për zemër çështje të së mirës publike dhe drejtësisë sociale. Programi në Shkollën për Mbrojtësit e të Drejtave të Njeriut do të zhvillohet në gjuhën shqipe dhe pjesëmarrja është kundrejt asnjë pagese.
Çfarë do përmbajë programi i shkollës?
Kurrikulat e institucioneve arsimore nuk vënë fokusin e duhur ndaj të drejtave të njeriut. Nga ana tjetër, përballë mungesës së transparencës qeveritare, shtypjes dhe dhunimit të të drejtave themelore sidomos ndaj grupeve më në nevojë të shoqërisë, po ndërtohet një rrjet aktivistësh në baza të solidaritetit dhe parimeve demokratike të organizimit. Kjo ka sjellë nevojën për pasurimin e njohurive në lidhje me filozofinë e të drejtave të njeriut, mekanizmat ligjorë mbrojtës, standardet ndërkombëtare dhe forma të ndryshme advokimi për t’i zbatuar ato.
Programi i shkollës do të ndahet në tre module kryesore:
- Moduli i të drejtave të njeriut
- Drejtësia tranzicionale/ korrupsioni dhe llogaridhënia
- Fuqizimi i aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe puna në komunitete
Secili modul do ketë një kohëzgjatje prej tre javësh, dhe do konsistojë në: leksione teorike, diskutime të hapura, vizita studimore, punë të pavarura praktike, aksione në rrugë, shfaqje dokumentarësh etj. Një numër i madh lektorësh do e shoqërojë këtë rrugëtim të gjatë: avokatë të të drejtave të njeriut, ekspertë të medias, përfaqësues nga institucione të pavarura, ekspertë nga komuniteti ndërkombëtar, akademikë dhe aktivistë. Gjatë kësaj përvoje Shkolla e të Drejtave të Njeriut synon të thellojë njohuritë e studentëve mbi konceptet themelore të të drejtave të njeriut, të nxisë të menduarit kritik mbi çështje të rëndësishme të aktualitetit rajonal apo botëror dhe të pajisë ata me instrumentet e nevojshëm për të luftuar padrejtësi shoqërore.
Shkolla do jetë e pajisur gjithashtu me një këshill shkencor dhe disa mentorë sipas secilës fushë që do trajtohet, të cilët do kujdesen për përzgjedhjen e literaturës dhe mbarëvajtjes mësimore të studentëve. Sesionet e shkollës do mbahen dy herë në javë: çdo të enjte dhe të premte në orën 16:00 – 19:00.
Ju ftojmë të aplikoni duke:
- Plotësuar formën e aplikimit këtu.
- Bashkëngjisni në fund të pyetësorit CV-në dhe letrën e motivimit.
Për pyetje të ndryshme në lidhje mbi procedurën apo përmbajtjen e programit shkollor kontaktoni [email protected]
Data të rëndësishme:
- Periudha e aplikimit: 27 Tetor – 10 Nëntor
- Përzgjedhja e aplikantëve fitues: 14 Nëntor
- Java e parë e shkollës: 16 – 17 Nëntor