Zyra e Statistikave e Bashkimit Evropian, publikoi ditën e djeshme një raport mbi ekspozimin e të rinjve të punësuar në BE, ndaj varfërisë.
Sipas raportit, gjatë vitit 2017 përqindja e të rinjve të moshës 18-24 vjeç, të punësuar dhe në rrezik varfërie në Bashkimin Evropian (BE) vlerësohet të jetë 11.9%. Përqindja ka rënë gradualisht çdo vit, që nga maksimalja e vitit 2014 (12.9%), por sërish mbetet një shifër shqetësuese për vendet e BE-së.
Shkalla e rrezikut të varfërisë për të gjithë qytetarët e punësuar të BE ishte 9.4% në 2017 dhe ka ka ruajtur të njëjtën vlerë thuajse që prej vitit 2014.
Përqindja më e lartë e të rinjve të moshës 18-24 vjeç në punë dhe në rrezik varfërie në 2017 ishte në Rumani (28.2%), pasuar nga Luksemburgu (20.0%), Danimarka (19.1%), Spanja (19.0%) dhe Estonia (18.4%).
Në të kundërt, tre vende kishin norma nën 5%: Çekia (1.5%), Sllovakia (3.8%) dhe Finlanda (4.2%).
Pavarësisht rimëkëmbjes ekonomike të viteve të fundit dhe daljes nga recensioni, duket se punësimi i të rinjve dhe krijimi i mjediseve dhe vendeve të sigurta të punës për të rinjtë, mbetet ende një sfidë me të cilën unioni po përballet. /k.j