Studimi: Korrupsioni në Universitete, 86.8 % e studentëve paguajnë për provime
Korrupsioni në arsimin e lartë në Shqipëri ka përfshirë në masë Universitetet publike. Ky ka qenë rezultati i studimit të publikuar nga Lëvizja “Mjaft” në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane, ku më shumë se 86% e studentëve të pyetur kanë pranuar se paguajnë për të marrë provimet.
Sipas të dhënave nga ky studim, pesë universitetet publike, përkatësisht Universiteti i Tiranës, i Korçës, i Shkodrës, i Vlorës dhe Universiteti i Durrësit shihen nga studentët si institucionet arsimore me nivel të lartë korrupsioni te pedagogët.
GJETEJET E STUDIMIT
45.3% e studentëve kanë pohuar se korrupsioni shfaqet më së shumti për të paguar provimet.
30.02 % për favorizim e më pak për sigurimin e shërbimeve nga sekretaria dhe sigurimin e konvikteve
Pagesa për provimet renditet si shkaku më i përhapur i korrupsionit. 63.5% e studentëve paguajnë për të marrë klasën, 30.8% për të përmirësuar notën dhe 5.8% për të patur shanse për të vazhduar studimet.
ARSYET QË NXISIN KORRUPSIONIN
Të pyetur mbi arsyet që nxisin korrupsionin, studentët pohojnë se kjo vjen nga mosrrespektimi i rregullores dhe shumë pak prej pagave të ulëta të pedagogëve.
41.5% e studentëve mendojnë se arsyeja është moszbatimi i rregullores
20.8% mendojnë se është mentaliteti
9.4% rezultaet e ulëta të studentëve
7.5% nivelin e pagave dhe infrastukturën e dobët
KORRUPSIONI MË I PËRHAPUR NË UNIVERSITETET E RRETHEVE
Duket se universitetet e rretheve janë ato të cilat janë infektuar më së shumti nga fenomeni i ryshfetit. Një gjë e tillë pohohet edhe nga studentët, nga ku 55.8% prej tyre thonë se korrupsioni ekziston më shumë në universitetet e rretheve, sesa në kryeqytet.
Por pagesa për provim është e pranishme edhe në Universitetin e Tiranës. Raporti vëren se në këtë institucion problem është edhe mungesa e pedagogëve gjatë orëve të mësimit.
STUDIMI I “MJAFT”
Studimi është ndërtuar mbi bazën e një formulari me 23 pyetje gjatë periudhës shkurt – tetor të këtij viti. Veç treguesve të korrupsionit në focus kishte dhe lirinë e fjalës e të veprimit dhe të drejtën për t’u informuar.
/l.k/