Shqipëria dhe Gjeorgjia kishin numrin më të lartë të studentëve në gjendje të mjerë ekonomike, raporton Monitor.
Anketa gjeti se në Gjeorgji 23 për qind e studentëve ishin në gjendje ekonomike shumë të vështirë ndërsa në Shqipëri 17% e studentëve raportuan situatë shumë të vështirë financiare, nivele këto nga më të lartat në Europë.
Vendet e Europës Perëndimore dhe sidomos vendet e ulëta kanë numrin më të ulët të studentëve në varfëri, por edhe kur ky fenomen është i pranishëm ai është e vlefshëm për studentët e huaj që studiojnë në këto vende.
Studimi vëren se Shqipëria ka një numër më të madh studentësh që nuk kanë në traditën e tyre familjare arsimin e lartë, dmth vijnë nga prindër me arsim të mesëm ose të ulët.
Gjithashtu Shqipëria ka numrin më të ulët të studentëve që punojnë ose kanë përvojë pune.
Anketa tregoi se vetëm 15 për qind e studentëve shqiptare kishin përvojë pune, teksa në vendet perëndimore kjo përqindje është shumë më e lartë. Në Islandë 52 % e studentëve janë edhe në punë.
Gjithashtu studentët shqiptarë janë të prirur të mos vonojnë studimet master. Mesatarisht 72 % e studentëve në Shqipërisë nuk shkëputen më shumë se një vit nga studimet master.
Në katër vitet e fundit, për çdo vit akademik, në auditorët e universiteteve shqiptare po ulen më pak studentë. Në vitin 2018 u regjistruan rreth 129 mijë studentë, prej të cilëve 23 mijë janë regjistruar në universitetet private, sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT. Në krahasim me një vit më parë, numri i studentëve ra me 7%.
Rënia ka qenë më drastike duke iu referuar 4 viteve më parë, ku numri i studentëve shënoi rekord prej rreth 174 mijë.
Ulja e numrit të studentëve po ndikohet kryesisht nga tendenca e plakjes së popullsisë, por edhe nga emigracioni i të rinjve. Sipas të dhënave të INSTAT, popullsia e grupmoshës 15-24 vjeç u reduktua me 55 mijë persona në 2017-n, në krahasim me vitin 2014./monitor