Studentët: Rregullorja na përjashton, pse s’na lajmëruan?
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2014/12/Fakulteti_i_Mjekesise_1.jpg)
Shpresa Mezini për Gazetën Shqip
Pas tre vitesh bllokim, çelja e ciklit të specializimeve ishte lajmi më i mirë që mund të mësonin kandidatët në pritje prej kaq kohësh. Por, mesa duket, gjithë ky gëzim “po u del sërish nga hundët”. Kjo, pasi aplikantët, të cilët në përputhje me udhëzimin e Ministrisë së Arsimit janë paraqitur dje për t’u regjistruar në Universitetin e Mjekësisë, janë kthyer mbrapsht, për shkak të mospërmbushjes së një prej kritereve, që është niveli i gjuhës angleze. “Shkova në sekretarinë e universitetit që në mëngjes herët, që të mos prisja në radhë. Hyra brenda dhe i thashë sekretares që isha kandidat për specializante te mjekësia dhe se kisha shkuar për të dorëzuar dosjen me dokumentet përkatëse. Më pyeti me radhë për të gjitha dokumentet, por kur më kërkoi diplomën e mbrojtjes së gjuhës angleze, kuptova që diçka nuk shkonte. Më kërkoi nivelin C2 të një prej testeve ndërkombëtare si TOEFL apo TOIC, në një kohë që unë kam mbrojtur nivelin B2, sepse ky na është kërkuar nga universiteti. Madje, edhe studentët e këtij cikli, përpara se të bllokoheshin studimet, janë diplomuar po me këtë nivel B2. Nuk e dimë nga doli C2. Askush nuk na ka lajmëruar. Përderisa kjo pikë është ndryshuar në rregulloren e re të Ministrisë së Arsimit dhe të Shëndetësisë, duhet të ishim njoftuar që të merrnim masat. Unë do ta kisha mbrojtur diplomën me këtë nivel të gjuhës dhe sot (dje) do ta dorëzoja. Pse u dashka të ndëshkohem unë? Çfarë do me thënë kjo? Pas tre vitesh pritje, sot po na përjashtojnë fare”, tregon një prej aplikantëve të ciklit të specializimeve. Pretendimi i vajzës përkon edhe me shumë të tjerë. Pothuajse pjesa më e madhe e të interesuarve kanë në dosjet e tyre dëshminë e mbrojtjes së anglishtes në nivelin B2, çka i përjashton ata kategorikisht nga konkurrimi. Ka edhe nga ata të rinj që thonë se as Ministria e Arsimit dhe as ajo e Shëndetësisë nuk kanë marrë parasysh kohën që u duhet atyre për t’u përgatitur për konkurrim. Sipas tyre, afati nga 12 dhjetori, që është data e fundit e regjistrimeve deri më 19 dhjetor, kur zhvillohet konkursi është i pamjaftueshëm për t’u përgatitur për pyetjet e provimit. Ndërkohë, të pyetur nga gazeta “Shqip”, burime zyrtare në Ministrinë e Arsimit bëjnë me dije se çështja është disi e komplikuar dhe se problemi nuk qëndron as në MAS as në MSH, por në Universitetin e Tiranës, pasi në vitet e kaluara janë lëshuar diploma specializimesh, me dëshmi anglishteje në nivelin B2, jo teste ndërkombëtare, në shkelje flagrante të ligjit të ri të arsimit të lartë.
“Në vitin 2010, në ligjin e ri të arsimit të lartë, thuhet që studenti që të diplomohet në ciklin e dytë të studimeve, master shkencor apo profesional, duhet të zotërojë diplomën e një prej testeve ndërkombëtare të anglishtes, si TOEFL apo TOEIC. Në vitin 2011, në një udhëzim të Ministrisë së Arsimit përcaktohen qartazi institucionet ku duhet të zhvillohet provimi i TOEFL apo TOIC, ku shtohej se niveli duhet të ishte mbi B1, përkatësisht C1, C2. pavarësisht ekzistencës së udhëzimit apo asaj që parashikon ligji që është taksativ për të gjithë, Universiteti i Mjekësisë ka pranuar studentë me diplomë nga fakulteti i Gjuhëve të Huaja, niveli B2, një nivel më poshtë nga ai që parashikon udhëzimi i arsimit në vitin 2011, por edhe diplomë të një testi që nuk është ndërkombëtar. Si në ligj, si në udhëzim, kërkohet shprehimisht që testi i anglishtes të jetë ndërkombëtar, ndërsa Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ka lëshuar diploma, duke e ditur fare mirë këtë fakt. Duke e ditur që dëshmia që lëshohet nga ky institucion nuk njihet ndërkombëtarisht, por vetëm brenda për brenda vendit”, sqarojnë burime zyrtare në Ministrinë e Arsimit. Sipas tyre, rregullorja e Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Shëndetësisë bazohet në ligj, ndërsa përpara se të publikohej është miratuar edhe nga këshilli edhe nga senati. “Rregullorja është publikuar më datë 5 dhjetor në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit, por edhe në atë të Universitetit të Mjekësisë. Studentët duhet të ishin njohur me të përpara se të dorëzonin dokumentet”, shtojnë të njëjtat burime. Mirëpo, përballë këtij fakti, studentët thonë se edhe nëse do të njiheshin më datë 5 dhjetor me këtë ndryshim në rregullore nuk do të kishin kohë për të zhvilluar provimin dhe për t’ia bashkëngjitur dosjes dëshminë deri më datë 10 dhjetor, kur nisi zyrtarisht procesi i regjistrimit. Sipas të dhënave që disponon gazeta “Shqip”, ajo që është edhe më e rëndë në gjithë këtë situatë është se në qershor të këtij viti, senati i Universitetit të Mjekësisë ka miratuar një vendim, ku thuhet se studentët duhet të zotërojnë nivelin B2 të anglishtes të mbrojtur në Universitetin e Tiranës. Ky fakt dyshohet se mund të jetë bërë shkak për këtë ngatërresë, që nuk dihet se ç’drejtim do të marrë. “Për studentët e mjekësisë që do ta zhvillojnë të hënën provimin e shtetit, do të ketë tolerime. Të rinjtë mund ta dorëzojnë dosjen në sekretari deri më 12 dhjetor, ndërsa rezultatin e testit mund ta bashkëngjisin në vazhdim. Ndërsa nuk dihet ende se cila do të jetë zgjidhja që do t’i japë Universiteti i Mjekësisë, Ministria e Shëndetësisë apo ajo e Arsimit, studentët do të enden dyerve të rektoratit të mjekësisë dhe të këtyre të fundit, me shpresën se do të ketë një alternativë edhe për ta.