Studentët kosovarë në protestë kundër izolimit nga BE-ja
Studentët e Prishtinës kanë dalë në protestë për të kundërshtuar izolimin që Bashkimi Evropian ka vendosur në Kosovë, duke mos liberalizuar vizat dhe duke konsideruar Kosovën si një shtet të dorës së dyte. Të organizuar përmes rrjeteve sociale dhe nëpër universitete, studentët kanë dalë në marshim, pavarësisht kushteve të vështira të motit, ku kanë përsëritur kërkesën drejtuar shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që të miratojnë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Pjesëmarrësit në marshin protestues thanë se nuk e duan lirinë e lëvizjes për tu larguar nga Kosova, por për të studiuar dhe për të fituar përvoja të reja, me të cilat do të ndihmonin zhvillimin e vendit të tyre.
Kjo protestë është pasuese e një proteste të njëjtë të mbajtur më 24 dhjetor. Këtë herë studentët u ndalën në sheshin mes ndërtesës së Qeverisë dhe ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, duke fajësuar qeveritarët e vendit të tyre për mungesën e liberalizimit dhe për situatën e krijuar.
Në fund, ata krijuan një rreth me flamuj të vendeve që lëvizin lirshëm në Zonën Schengen, duke mbajtur në dorë edhe një baner me mbishkrimin “A është izolimi vlerë e Bashkimit Evropian?”./k.j