Skandali me pranimet te Ekonomiku, bie mesatarja minimale nga 9.8 në 6.2
Reforma e re në arsimin e lartë u aplikua me mjaft probleme këtë vit, një ndër të cilat është edhe rënia e mesatares minimale në pranimet në universitete. Ndonëse është shitur si reformë që garanton cilësi në pranimin e studentëve, faktet tregojnë ndryshe.
Fakulteti i Ekonomisë në Universitetin e Tiranës ka publikuar notën mesatare të maturantëve që janë regjistruar në dy vitet e fundit, ku duket qartazi se ka një rënie shumë të madhe të notës mesatare të maturantëve vitin e fundit. Mesatarja minimale në të katra programet e studimit të Fakultetit të Ekonomisë për vitin akademik 2015-2016 varjon nga 9.22-9.89, ndërsa për vitin 2016-2017 ajo është ulur jashtë çdo pritshmërie deri në 6.08-6.92.
Gazeta Shqiptare shkruan se sipas dekanit të Ekonomikut, Dhori Kule, kjo ka ndodhur për shkak të tejzgjatjes së regjistrimeve dhe paniku që i kapi kandidatët se mos mbeten pa shkollë.
Shqetësimin se cilësia e pranimit të studentëve në ciklin e parë të studimeve po binte ndjeshëm për shkak të tejzgjatjes së procesit të regjistrimit, e kanë ngritur më parë edhe drejtuesit e Universitetit të Mjekësisë, Universiteti i Tiranës dhe Universiteti Politeknik. Por kjo nuk u pranua asnjëherë nga Ministria e Arsimit. /m.g/
Burimi Gazeta Shqiptare