Rikthehen protestat e studentëve; Vezë kundër reformës për arsimin e lartë
Studentë të universiteteve të ndryshme kanë protestuar sot përpara Parlamentit për reformën në arsimin e lartë.
Pasi kaloi me 78 vota, projektligji u kthye sërish në parlament pas mos dekretimit nga ana e Presidentit dhe u diskutua sërish sot mes debateve të forta.
Ndërkohë studentët nuk kanë ndalur protestat e tyre. Në këtë protestë të parë të shtatorit, ata kanë patur përplasje dhe kanë debatuar me forcat e policisë, si dhe kanë gjuajtur me vezë makinën e ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja dhe sekretarit të ministrisë së Arsimit, Plarent Ndreca.
Në thirrjet e tyre studentët akuzojnë kuvendin si organ privat dhe jo si publik. Pankartat që kanë rënë në sy në protestën e sotme kanë qenë “Të shitur te privati” duke mbështetur idenë se ligji i ri per arsimin e larte favorizon hapur Universitetet private ne kurriz te atyre publike.
Lëvizja për Universitetin thotë se reforma e kundërshtuar masivisht nga studentë dhe pedagogë, intelektualë dhe figura publike, prindër dhe aktivistë të shoqërisë civile, është rrjepëse për studentët, tregtarizuese për universitetin dhe klienteliste për interesin publik. /m.g