Qyteti Studenti: Jeta e të rinjve mes rregullave të reja e problemeve të vjetra
Qyteti studenti është një vend i dedikuar për të rinjtë, me zhurmë, lokale të tejmbushura dhe një numër të madh konviktesh kur jetojnë të rinjtë që vijnë për të ndjekur studimet në Tiranë.
Kohët e fundit janë bërë një sërë ndryshimesh, janë vendosur kamera, janë lyer disa mure e janë rikonstruktuar disa godina. Por gjendja e përgjithshme mbetet po ajo, korridore të vjetra, mure me lagështirë, tualete të vjetra dhe rrëmujë që krijohet nga hyrja e personave të paautorizuar.
Kamerat e sigurisë
Në godinat e konvikteve janë vendosur kamera sigurie. Studentët tregojnë se ato janë vënë një vit më parë, për të mbikqyrur kush hyn apo del. Kujdestarët thonë se syrit të kamerave nuk i shpëton askush, por as ata vetë nuk e dinë nëse punojnë pasi vetëm drejtoria ka akses në pamjet e tyre.
Dushet me orar dhe punonjësit me uniforma të reja
Uniformat e reja të punonjësve janë pjesë e rregullave të reja. Askush nuk lejohet të punojë pa qenë i veshur me uniformë. Por punonjesit tregojnë se i kanë blerë me paratë e tyre ““Na i mbajtën nga rroga ato lekë, 22 mijë (të vjetra). Duhet ta veshim, sepse na flasin”, tregon një prej tyre.
Ashtu siç ka funksionuar përherë, dushet janë me orare, përjashtim bën këtu godina numër 24-25, tek e cila dushet qëndrojnë të hapura nga ora 08.00 e mëngjesit deri në 08.00 të mbrëmjes. Studentet vetë thonë se kjo cilësohet si godina e preferuar dhe e privilegjuar, pasi ndodhet përballë drejtorisë.
Oraret
Pavarësisht sigurisë së lartë që presupozohet se ofrohet nga vënia e kamerave, ka edhe nga ata banorë të konvikteve që nuk u binden. Në konvikte ka të përcaktuar një rregullore dhe orar për hyrjen dhe daljen e studentëve nga godina. Saktësisht lejohen hyrjet dhe daljet nga ora 06.30 e mëngjesit deri në orën 23.30. Mirëpo, kjo ndodh që edhe nuk zbatohet, pasi ka mjaft nga ato që për një sërë arsyesh vijnë edhe pas orës 23.30 apo edhe dalin pas kësaj. /l.k./
/gazetashqip